Pajisjet e Apple ofrojnë momentalisht shumë informacione në lidhje me shëndetin e përdoruesve, mirëpo së shpejti ato mund të mësojnë përdoruesit se si të përmirësojnë shëndetin e tyre. Bloomberg raporton se Apple po zhvillon një “trajner artificial” të fuqizuar nga AI me emrin Quartz, i cili do të jetë në gjendje të krijojë programe të personalizuara për stërvitje, dieta dhe fjetje.
Për të përfituar këtë shërbim ju do të mund të abonoheni në një plan që do të lançohet gjatë vitit 2024. Apple ka refuzuar të komentojë mbi zhvillimi e kësaj teknologjie.
Nëse këto raportime janë të sakta, me shumë mundësi ne do të dëgjojmë rreth këtij trajneri artificial gjatë eventit WWDC 2023 që do të zhvillohet në datën 5 qershor. Ky do të jetë një event i tejmbushur me produkte, pasi mendohet se Apple do të prezantojë dhe AR/VR Headset gjatë kësaj kohe si dhe shërbime të tjera që lidhen me shëndetin (një version VR i Fitness+ apo shërbime meditimi).
Gjatë kohëve të fundit kemi parë që Apple po investon shumë për të përmirësuar produktet wearable dhe Quartz mund të jetë një alternativë shumë e mirë për të gjithë përdoruesit që dëshirojnë të përdorin këtë shërbim në vend që të paguajnë për një trajner personal në palestër.