Në seancën plenare të ditës së sotme deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka folur për vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që shpalli non grata ish-deputetin e PS, Aqif Rakipi.

Tabaku është shprehur se Rakipi ka në parlament djalin dhe dhëndrin e tij duke theksuar se PS ka përfituar 6.9 përqind të votave në qytetin e Tiranës nga ish-deputeti në zgjedhjet e 25 prillit.

“Ngjarja e parë lidhet me shpalljen non-grata dhe me ngrirjen e llogarive të një personi pranë PS-së. Unë besoj që nuk kam nevojë ta përshkruaj se kush është ish-deputeti i cili sot ka djalin dhe dhëndërin e tij në Parlamentin e Shqipërisë por e rëndësishme është që PS ka marrë nga ky individ 6.9 përqind totale të votave në qytetin e Tiranës. Që do të thotë se ka pasur një përcaktim të rezultatit zgjedhor në Tiranë dhe në qarkun e Elbasanit, pikërisht nga ky person. Ministri përmendi raportin e OSBE-ODIHR. Unë këtë kam shqetësim. Përdorimin e grupeve kriminale për të deformuar zgjedhjet, siç është bërë në raportin e DASH.

Si nuk flet mazhoranca për një çështje kaq të rëndësishëm. Këta që flasin në emër të Amerikës. Unë besoj që ashtu siç thotë emërimi i Departamentit të Thesarit. Përdoren paratë për të blerë votat. Është publikuar raporti i DASH. Lexova dje që kryeministri tha se ky raport është copy paste. Është copy-paste i vitit të kaluar, dhe korrupsioni është copy paste pasi po Edi Rama është akoma në qeveri. Po të kishte persona të tjerë, sot nuk do kishim këtë raport, por tjetër. Nëse nuk do kishte kriminel sot do të kishim një raport tjetër”, tha Tabaku