Athina zyrtare ka reaguar pas arrestimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri. Ministria e Jashtme greke njoftoi se me urdhër të ministrit grek Nikos Dendias, ambasadorja greke në Tiranë Kostandina Kamitsi, do të mbajë një takim në ministrinë e Jashtme.

“Pas lajmit për arrestimin nga autoritetet shqiptare të Dionisis-Fredi Beleris, kandidat për Kryetar Bashkie në Himarë në KEAD, ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi, pas udhëzimeve të ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, po zhvillon një vizitë sot, më 12 maj në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.”, thuhet në njoftim.

Burimet për ABC News thanë se Beleri akuzohet për shitblerje votash. Bashkë me të u shoqëruan në komisariat edhe dy persona të tjerë, të cilët janë liruar pas disa orësh, siç raportoi gazetari Elton Nika. Ndërkohë priten detaje të tjera nga policia rreth arrestimit të kandidatit të opozitës për Himarën./abcnews.al