Kavajë- 3 punonjës të policisë së Kavajës janë vënë në pranga pas ngjarjes se rëndë të ndodhur ne ambientet e paraburgimit, ku 31-vjeçari Ilvi Meta dyshohet se i dha fund jetës duke u vetëvarur.
Mësohet se të arestuarit janë:
– Bexhet Berberi, me detyrë inspektor
– Rushit Kola, me detyrë inspektor
– Petrit Brahimaj, me detyrë non komisar
Te njëjtat burime shpjegojnë për abc se Berberi dhe Kola kanë qenë policë roje tek dhoma e paraburgimit.
Ilvi Meta i cili ishte ndaluar ditën e mërkurë rreth orës 12:00 i ka dhënë fund jetës brenda qelisë duke u vetëvarur, vetëm 6 orë pas shoqërimit nga ana e policisë.
I riu u ndalua me akuzën për vjedhje, akuzë për të cilën ishte dënuar edhe më parë.
Ndalimi i të riut ditën e mërkurë ishte bërë pasi akuzohej për një vjedhje të ndodhur në datën 2 prill në një banesë në Kavajë, për një makinë qepëse dhe prerëse pllakash.
Ndërkohë menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë është ngritur një grup hetimor, si dhe kanë shkuar me urgjencë në Komisariatin e Kavajës Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës, Lorenc Panganika, dhe disa oficerë të SHÇBA-së.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe babai i viktimës Ilvi Meta, Agim Meta, i cili hedh akuza ndaj policisë, ndërsa ka deklaruar se djali i tij u akuza për vjedhjen e një dere alumini.