Ernejt Shyti u arrestua vetëm dy javë pasi kishte kryer vrasjen e Behar Sofias në Mal të Zi, teksa punonte në ndërtim.

I gjendur përballë fakteve kokëforta, , ai rrëfeu nga vendi i krimit pranë Lanës se si qëlloi ndaj Behar Sofias, por edhe se kush ishin personat që e kishin dorëzanë dhe ishin të interesuar për eliminimin e bosit të drogës.

Ai tregoi në hetuesi, sesi miku i fëmijërisë, Xhuliano Visha i propozoi fillimisht vrasjen e Behar Sofias.

Ernejt Shyti. i penduar i drejtësisë

Xhuliano Vishën e kam shok prej 5-6 vitesh. Rreth mesit të muajit janar 2021 Xhuliano më tha: ‘A mund të vrasësh një njeri se unë nuk mund ta bëj. Do të marrim 50 milionë lekë nëse e vrasim’. Ai më shpjegoi se nuk mund ta vriste vetë personin sepse e kishte parë roja që rrinte jashtë ETC-së. Unë i thashë nuk e di, por do të shkojmë të shikojmë vendin dhe personin që do të vrisja. Dy ditë më pas jam nisur me Xhulianon nga Kërraba dhe kemi parkuar makinën poshtë ‘Varrezave të Dëshmorëve’. Nga aty kemi lëvizur drejt ETC me dy patina të miat që unë i kisha në bagazhin e makinës. Kur kemi mbërritur te ETC kemi qëndruar ulur në stolat bri Lanës. Më pas kaluam mbrapa godinës së ETC, ku Xhuliano më tregoi se nga dilte personi që do vrisnin”.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga “Në Shënjestër”, dyshimet janë se Behar Sofia mund të jetë vrarë për probleme që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike.

Një personazh që nuk ishte edhe aq i panjohur në ambientet ku krimi qarkullonte.

Behar Sofia nga Berati, ishte lakuar herët për lidhje me bosë të drogës, por akuzat asnjëherë nuk ishin provuar. Kohët e fundit thuhet se ishte tërhequr nga aktiviteti dhe jetonte një jetë të qetë.

Nuk kishte marrë asnjë masë për sigurinë e tij. Madje, qetësisht dilte për shëtitje ne zemër të Tiranës, ku edhe banonte, sikurse veproi ditën kur e qëlluan për vdekje.

Pavarësisht se njihej për përfshirje në trafiqe të paligjshme, kishte mundur falë lidhjeve të tij të fuqishme, t’ia hidhte pa u lagur me drejtësinë.

Ernejt Shyti- I penduar i drejtësisë

“Unë nuk e pyeta asnjëherë për emrin e personit. As Xhuliano nuk e dinte saktësisht, por ma përshkroi. Ai ishte një burrë rreth 60 vjeç, me trup të shëndoshë. Ai më tha se personi del gjithmonë nga dera e pasme e pallatit, merr trotuarin anës Lanës dhe shkon në këmbë deri te Gjykata e Tiranës, ku e pret me një fuoristradë ‘Audi’ të bardhë një grua bionde. Për të më treguar rrugën Xhuliano dhe unë po atë ditë e bëmë në këmbë këtë rrugë. Ndërkohë Xhuliano më pyeti nëse doja të largohesha me këmbë apo me biçikletë pas krimit. Kur po ndaheshim i thashë Xhulianos që do ta mendoja nëse do ta bëja vrasjen apo jo. Të nesërmen e takova paradite si gjithmonë tek shtëpia e tij dhe i thashë se po, do ta vrisja personin që më tha”.

Po për t’u kthyer te vrasja e tij në zemër të Tiranës, cilët ishin personat e përfshirë dhe roli i tyre në eliminimin e Behar Sofias.

A është dikush tjetër edhe më lart që urdhëroi ekzekutimin e bosit të drogës që kamuflohej edhe si biznesmen?

Sipas dinamikës së ngjarjes, ai që do të zbërthehej shpejt do të ishte vetë Ernejt Shyti i cili u arrestua mbrëmjen e 12 marsit 2021 në Malin e Zi.

Gjatë marrjes në pyetje, Ernejt Shyti pranoi se ishte ai vrasësi i Behar Sofias, por jo vetëm kaq.

Ai tregoi edhe emrat e personave që e kishin kontraktuar për të kryer këtë vrasje, ku lidhja e parë ishte shoku i tij Xhuliano Visha.

Ernejt Shyti- I penduar i drejtësisë

“Xhuliano Visha, nuk e kryente dot vrasjen pasi ishte pikasur nga roja i pallatit ETC. Ishte Xhuliano që më siguroi armën me silenciator si dhe biçikletën me të cilën lëviza”.

24-vjeçari tha më tej se Xhuliano e kishte prezantuar edhe me dy persona të tjerë,

të cilët kishin pasur role të mirëpërcaktuara në vëzhgimin dhe eliminimin e Behar Sofias ku një ndër ta do të rezultonte të ishte edhe Leonard Xhixha.

Ernejt Shyti- I penduar i drejtësisë

“Leonard Xhixha ishte caktuar për vëzhgimin e viktimës si edhe më tregoi nëpërmjet telefonit, foton e Behar Sofias. Leonardin e kam takuar disa herë. Gjatë takimeve me të, kam takuar edhe një person tjetër të njohur si ‘Dajo’, që është shtetasi Skënder Vathi”.

Sipas dosjes hetimore, Ernejt Shyti deklaroi se ‘Dajo’, në këtë rast Skënder Vathi, e kishte instruktuar disa herë në makinën e tij, se si ta kryente vrasjen e Sofias.

Makinë ‘Fiat Punto’, ku edhe Skënder Vathi u ndalua nga policia bashkë me Leonard Xhixhën. Ndërkohë që Ernejt Shyti tregoi edhe se si e mori propozimin nga Xhuliano Visha, për vrasjen e Behar Sofias.

Ernejt Shyti- I penduar i drejtësisë

“Xhuliano më tha se këtë person kishin 6 muaj që e ruanin personat që kanë dhënë porosinë”.

Sipas Ernejt Shytit edhe pse pergatitjet nga grupi organizator

organizator për eliminimin e Behar Sofias, kishin kohë që kishin nisur, ai vetë ishte kontaktuar vetëm së fundmi nga grupi. Kjo pasi Xhuliano Visha ishte tërhequr nga ekzekutimi.

Ernejt Shyti- I penduar i drejtësisë

“Më 31 janar, kam shkuar me Xhulianon te një parking te Liqeni i Thatë. Kemi parkuar makinën aty dhe jemi nisur për te ‘Dollari’ për të blerë dy numra telefoni. Morëm dy numra dhe më pas u kthyem për te makina. Nga aty kemi ikur te lokali më çadra të kuqe, kemi parkuar makinën tek servisi me parking para dhe kemi vënë numrat në telefonin ‘Nokia’. Xhuljano ka ikur te lokali bashkë me telefonin. Njërën nga kartat e kishin mbajtur personat që Xhuljo kishte takuar në lokal, tjetrën e kishte në telefon”.

Porosia ishte e qartë. Tashmë, Ernejt Shyti, do të ishte dorasi i Behar Sofias.

Dhe për këtë arsye ai duhet të njoftonte kreun e grupit për çdo lëvizje që do të kryente.

Ernejt Shyti- I penduar i drejtësisë

“Unë çdo ditë në mëngjes nëse do të dilja i shkruaja mesazh Dajës ose djalit të ri, varet kush mund ta kishte telefonin…”

Për të kryer krimin perfekt, Ernejt Shyti dhe bashkëpunëtorët e tij, u angazhuan edhe në sigurimin e mjeteve, ku në skenë tashmë del emri i Bujar Nezës i cili do të kishte rolin e koordinatorit, lidhjes së porositësve të vrasjes me Xhuliano Vishën si edhe gjetjes së armës së krimit.

Një hajdut profesionist biçikletash që do të merrej po vetë edhe me sigurimin e biçikletës, me të cilën Shyti do të lëvizte para dhe pas krimit. Për të siguruar këtë biçikletë ata kishin udhëtuar së bashku drejt Krujës.

Ndërkohë që Bujar Neza ishte caktuar t’i çonte pas vrasjes në banesë Ernejt Shytit edhe shpërblimin për ekzekutimin që do të kryente.

Ernejt Shyti- I penduar i drejtësisë

“Diku rreth datës 19 janar 2021 pasdite kemi shkuar përsëri te shtëpia e Bujarit. Ai përsëri nuk kishte arritur të gjente biçikletën, por erdhi me ne, dhe të tre së bashku, kemi shkuar në Krujë. Atje shkuam që Bujari të vidhte një biçikletë. Mesa kam dijeni ai ishte hajdut biçikletash. Të nesërmen shkuam tek shtëpia e tij dhe morëm biçikletën. Ajo ishte e zezë pjesë-pjesë, por ne e lyem plotësisht”.

Ndërsa po lyente biçikletën, Xhuliano i kërkon Ernejtit të provonte të qëllonte me armë, një siguri më shumë për të goditur në shënjestër, viktimën e tyre.

Ernejt Shyti- I penduar i drejtësisë

“Kur po lyeja biçikletën Xhuliano erdhi tek unë dhe më pyeti nëse kisha shtirë me armë ndonjëherë. Unë i thashë jo, ndërsa ai më tha nëse doja ta provoja më parë, apo do të shkoja direkt. I thashë që doja ta provoja. Pas kësaj ikëm në një pyll rreth 20-30 minuta në këmbë nga shtëpia e Xhulianos. Atje Xhuliano më dha pistoletën me silenciator të cilin ia vura unë dhe më tha të qëlloja. Qëllova dy herë në tokë ku dhe e provova se si funksiononte”.

Por kjo nuk do të ishte prova e parë dhe e vetme që Ernejt Shyti duhet të kalonte.

Grupi organizator i vrasjes kishte nevojë për besim dhe për t’u bindur ata krijuan një inskenim.

Me qëllim për ta sprovuar se sa i gatshëm dhe efikas ishte njeriu i tyre për të kryer vrasjen, ata e nxorën Ernejt Shytin në pritë disa ditë përpara se krimi të kryhej në të vërtetë. Provë, të cilën mesa duket ai e kaloi me sukses, duke krijuar bindjen te organizatorët se ai do ta kryente krimin në momentin që ata do ta lajmëronin.

Ernejt Shyti- I penduar i drejtësisë

“Gjatë rrugës në makinë Xhuliano më dha një iPhone 8 të bardhë, i cili ishte i ndezur dhe me kod. Telefoni kishte një aplikacion që quhej ‘Skaj’ dhe në këtë aplikacion do të komunikoja me personin që do të më orientonte për vrasjen vetëm me mesazhe me të shkruar. Aty ishte i regjistruar vetëm ky person me emrin ‘Lleshi’ ose ‘Leshi’. Në darkë vonë rreth orës 23:00 i shkrova këtij personi ku i kam thënë se do të takoheshim te vendi duke nënkuptuar Piramidën, ku do të bënim vrasjen. Ai më tha se në mëngjes kur të dilte personi do ta fotografonte dhe do të ma çonte foton që unë ta shikoja dhe të bëja vrasjen. Të nesërmen në mëngjes rreth orës 07:30 ky person më kishte shkruar ‘Mirëmëngjes miko, a do të dalësh sot?’. Unë i thashë me mesazh se do të shkoja.

Sapo kam shkuar tek ETC-ja i kam shkruar personit në telefon dhe i kam thënë se isha aty. Rreth orës 08:45-09:00 personi më ka çuar mesazh dhe më ka thënë të ikja pasi personi që do të vrisja nuk do të dilte më.

Kam shkuar poshtë urës dhe kam marrë biçikletën dhe më pas kam ikur në shtëpi te Bërryli”.

Të bindur tashmë te njeriu i tyre, porositësit e vrasjen kishin nevojë edhe për një garanci të fundit. Të matnin pulsin e tij për të mos i lënë asgjë rastësisë ndërkohë që dita e vrasjes po afrohej.

Ernejt Shyti- I penduar i drejtësisë

“Kur kam arritur në shtëpi më ka dërguar një mesazh personi dhe më ka thënë a mund të takohemi. I thashë dakord. Ai më pyeti se ku. Unë i thashë ku të donte ai. Personi më tha të shkoja të takoja te Sanatoriumi. Kur shkova aty ai më shkroi dhe më tha nëse isha ai me tuta të bardha, pasi më pa kur zbrita nga taksia, unë i thashë po dhe ai me tha hajde se jam tek ky ‘Golf-I’ përballë.

Sapo hipa personi vazhdoi lëvizjen me makinë drejt rrethit të Saukut. Ai nuk më tha asnjë emër dhe as unë nuk e pyeta. Direkt më pyeti nëse e kisha armën me vete dhe unë i thashë jo. Ai më pyeti gjithashtu nëse kisha bërë më parë ndonjë vrasje tjetër dhe unë nuk i ktheva përgjigje jo. Gjatë rrugës ai më dha 50 mijë lekë të vjetra duke më thënë ‘merri këto se ndoshta s’ke lekë’. Para se të zbrisja më pyeti nëse do të dilja të nesërmen. I thashë dakord që do të takoheshim tek ETC në mëngjes. Personi mesa mbaj mend ishte i mbushur, i bardhë dhe me flokë të shkurtër”.

Sipas grupit hetimor plani për eliminimin e Behar Sofias, kishte nisur rreth muajit shtator, të vitit 2020.

Por duke qenë se preja e atentatit jetonte në një pallat në qendër të Tiranës, të survejuar nga kamerat e shumta dhe policia, ata po hasnin vështirësi në organizimin e vrasjes.

daj për këtë qëllim, vrasja e Behar Sofias kërkonte një studim të hollësishëm prej tyre. Është ky moment sipas grupi hetimor, kur persona të paidentifikuar por që pretendohet të jenë porositësit e vrasjes, ia ngarkojnë këtë punë Jemin Sherës, i cili njihet në rrethet kriminale edhe me pseudonimin ‘Bajlozi’.

Personi i cili do të organizojë edhe grupin e eliminimit të shënjestrës.

Profili i Jemin Sherës si një nga porositësit e vrasjes së Behar Sofias, u evidentua edhe nga pamjet filmike të siguruara ditën e krimit rreth vendit të ngjarjes, ku ky i fundit vihet re teksa qëndron mëngjesin e vrasjes ulur në një tavolinë me Skënder Vathin, në një nga lokalet pranë pallatit të viktimës.

Ndërsa pamjet shquajnë momentin kur Shera i kalon Vathit diçka në duar.

Dosja hetimore

“Nga këqyrja e pamjeve filmike të një bari që ndodhet në kryqëzimin e rrugës ‘Fatmir Haxhiu’ me rrugën ‘Papa Gjoni Pali II’, në orën 07:23 në këtë lokal shfaqet Skënder Vathi. Në orën 07:27 ky shtetas ulet në tavolinë në prani të një shtetasi tjetër, të njohur si Jemin Sheraj. Në orën 08:38;20 shtetasi Jemin Sheraj duket se i jep diçka në dukje letër shtetasit të dyshuar Skënder Vathi i cili largohet nga lokali”.

Sipas grupit hetimor, fillimisht Jemin Shera ka kontaktuar për vrasjen Bujar Nezën, i cili, rezulton se ishte njohje dhe lidhje e drejtpërdrejtë e Sherës.

Fill pas këtij momenti, Bujar Neza i ka prezantuar Jemin Sherës, Xhuliano Vishën që vinte si njohje e Skënder Vathit dhe Leonard Xhixhës, të dy dajë e nip, por që ndërkohë ishte edhe shok fëmijërie me Ernejt Shytin.

Visha, që do të ishte fillimisht këmbëza e atentatit, por që me tërheqjen e tij këtë rol do ta merrte shoku i tij, Ernejt Shyti. Siç do të rrëfente edhe vetë më pas në prokurori, Ernejt Shyti doli për ditë me radhë në kërkim të presë së tij.

Derisa ditën e tetë, Skënder Vathi, në këtë rast ‘Daja’ i bëri me shenjë, që shënjestra ishte përballë tij, por duke qenë se nuk ishte gati psikologjikisht, Shyti tregoi për hetuesit se priti edhe 8 ditë të tjera, për të kryer ekzekutimin.

Ndërkohë që nuk e dinte ende se kush ishte viktimat e tij dhe rëndësia që kishte.

Ernejt Shyti- I penduar i drejtësisë

“Në ditën e tetë kam dalë përsëri sipas orarit dhe kam ndjekur të njëjtën rrugë si gjithmonë. Kam lënë biçikletën poshtë urës dhe kam shkuar në këmbë deri tek ura e këmbësorëve te ETC. Aty kam parë ‘Dajën’ në anën e Piramidës i cili ma bëri me shenjë me kokë se ishte personi nga ana tjetër. Nga aty e kam ndjekur deri te parkingu i madh që është tek ish-Ekspozita. Në ditën e gjashtëmbëdhjetë i kam shkruar ‘Dajës’ dhe i thashë që do dilja.

Ditën e ngjarjes kam qenë afër rrugës së këmbësorëve kur djali i ri më ka çuar mesazh ku më shkruante: ‘Personi doli’. Menjëherë kur ai kaloi me nxitim rrugën unë kalova përmes makinash me semafor të kuq për këmbësorët disa metra larg vijave të bardha. Aty kam dalë mbrapa personit dhe kam filluar të eci pas tij. Kam hapur xhupin, kam nxjerrë armën që e kisha mbushur që në shtëpi. E kisha në distancë 3 ose 4 metra, I drejtova armën dhe e shkrepa. Në atë moment arma u shkrep, por nuk qëlloi. Personi nuk 

dëgjoi, të paktën kështu mu duk sepse nuk reagoi. E rimbusha me nxitim dhe ia drejtova përsëri. Kam qëlluar edhe dy herë në drejtim të personit. Me sa kam parë plumbat e kanë kapur personin në pjesën e pasme tek beli dhe ai u rrëzua në trotuar. Më pas kam zbritur me vrap tek lumi poshtë tek pjesa e betonit.

Kam hedhur armën që qëllova dhe me vrap kam vazhduar anës betonit deri tek ura ku kisha lënë biçikletën”.

Ernejt Shyti tregoi më tej se e kishte lënë të takohej me ‘Dajën’ pas krimit, por ky i fundit nuk u paraqit në takim.Ndërsa menjëherë pas krimit, ai vendosi të niset drejt Malit të Zi.

Ernejt Shyti- I penduar i drejtësisë

“Kam ecur në atë trotuar deri tek ura e Lanës te Taivani. Jam nisur në drejtim të parkut të liqenit. Disa metra në thellësi të rrugës kam hedhur telefonin, xhupin që kisha veshur dhe kapelen e kuqe ‘Adidas’. Kam hequr kominoshet si dhe kam lënë biçikletën, maskën dhe dorezat e leshit.  Pas kësaj kam shkuar tek parkingu ku duhet të më priste ‘Daja’ me makinën ‘Fiat’, por ai nuk ishte aty. Kam pritur ca kohë dhe kam shkuar në shtëpi tek ‘Bërryli’.

Jam ndërruar, kam veshur rroba të tjera dhe i kam futur në tre qese. Kam dalë anës Lanës dhe aty kam marrë një taksi për të shkuar te Terminali tek Ekonomiku. Ku më pas kam hipur në autobusin e linjës së Kërrabës. Kam vendosur qesen ne autobus dhe kam dalë për të blerë byrekë me fatorinon. Pas kësaj jemi nisur drejt Kërrabës, rrobat që kisha veshur i thashë vëllait tim Ergitit që t’i digjte. Kam shkuar tek shtëpia e Xhulianos dhe i kam thënë se e mbarova atë punë. Ai mori makinën e xhaxhait tim Ylli Shyti dhe bashkë me vëllain tim Ergitin më kanë çuar në Shkodër. Gjatë rrugës i kam shkruar shokut tim Lisi, që të dilte të më priste në Shkodër. Atë natë kam fjetur tek shtëpia e Lisit në Shkodër. Të nesërmen jam nisur drejt Malit të Zi. Aty më ka kapur policia. Më pas kam mësuar në lajme nga telefoni se personi që kisha vrarë ishte Behar Sofia”.

Sipas grupit hetues bazuar edhe në dëshminë e të penduarit të drejtësisë, por edhe pamjeve filmike, tashmë dinamika e vrasjes së Behar Sofias ishte e qartë për ta.

Dosja hetimore

Nga një analizë e rezultateve hetimore deri tani del se ekzekutori i Behar Sofisë ka qenë Ernejt Shyti. Për këtë ai është bindur nga Xhuljano Visha, që e ka shtyrë të bëjë këtë vrasje kundrejt shpërblimit, si dhe ka siguruar armën dhe mjetin biçikletë me të cilën ka lëvizur ekzekutori. Organizator i vrasjes deri në këtë pikë të hetimit është Skënder Vathi (Daja) në bashkëpunim dhe i ndihmuar nga shtetasi Leonard Xhixha, të cilët kanë kontaktuar Xhuljano Vishën dhe i kanë kërkuar të gjejë një person që të kryejë vrasjen e shtetasit Behar Sofia.

Po kështu Vathi dhe Xhixha kanë asistuar ekzekutorin në njohjen e viktimës dhe kanë ruajtur lëvizjet e tij para dhe ditën e ngjarjes.

Siç shikohet edhe në këto foto të siguruara ‘Në shënjestër’, Ernejt Shyti dalloi në prokurori midis personave të tjerë, edhe Skënder Vathin.

Duke bindur hetuesit se ai është i vërtetë në thëniet e tij, tashmë si bashkëpunëtor i drejtësisë. Ndërkohë që pranoi se për vrasjen ai do të merrte një shpërblim prej 5 milionë lekësh.

Dosja hetimore

“Xhuliano Visha ka kontaktuar Ernejt Shytin me të cilin njihej prej vitesh, të cilit i ka kërkuar të ekzekutojë këtë vrasje kundrejt pagesës 5 milionë lekë. Në vijim Xhuliano Visha i ka dhënë Ernejt Shytit një telefon të kriptuar për të komunikuar me personat që do i jepnin foton e viktimës dhe do ruanin viktimën. Më pas Leonard Xhixha dhe Skënder Vathi kanë marrë kontakt me Ernejt Shytin. Komunikimet e tyre kanë qenë të koordinuara, në funksion të qëllimit final, atë të vrasjes së shtetasit Behar Sofia”.

Aktualisht pas hekurave për vrasjen e Behar Sofias, krahas Ernejt Shytit, ndodhen edhe Skënder Vathi, Leonard Xhixha dhe Xhuliano Visha. Ndërkohë që asnjë prej tre të fundit, nuk ka pranuar të flasë për drejtësinë.

I vetmi që ndodhet jashtë hekurave të qelisë, është Jemin Shera. Arrestimi i të cilit mund të zbardhë ndoshta të vërtetën për ekzekutimin që tronditi Tiranën.

Por pyetja që lind, është: ‘a është ky porositësi i vërtetë i vrasjes së Behar Sofias’? Apo dikush tjetër qëndron më lart se ai?/ syri