Policia Rrugore e Tiranës ka vënë në pranga një 45-vjeçar, pasi ka aksidentuar për vdekje një 73-vjeçar, teksa drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike. Sipas Policisë aksidenti ka ndodhur në rrugën “Asim Vokshi”, ku i moshuari ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

“Shërbimet e Policisë Rrugore, pas marrjes së njoftimit se një mjet me drejtues ende të paidentifikuar, në rrugën “Asim Vokshi”, ka aksidentuar shtetasin Z. K., 73 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital, dhe drejtuesi i mjetit, pas aksidentit është larguar, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin dhe kapjen e tij”, thuhet në njoftim.

45-vjeçarit iu pezullua leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe iu vendos masa administrative 35.000 lekë të rinj.

Ky është rasti i katërt, brenda dy javëve, gjatë të cilit Policia Rrugore e Tiranës arreston drejtues mjetesh që përdorin mjetet nën efektin e lëndëve narkotike.