Policia kufitare Kapshticës ka goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike. Bëhet me dije se në pranga ka përfunduar 36-vjeçari Gjovalin Zefi, i cili iu ofroi rryshfet punonjësve të policisë në pikën kufitare me qëllim shmangien e kontrollit.

Por, si rezultat i kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, iu gjetën në bagazh dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 pako me peshë 2 kilogram lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë në Korçë, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftimi i plotë i policisë:

Policia Kufitare në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë parandaluan dhe goditën një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike dhe mitdhënies.

Tentoi të trafikonte sasi droge drejt Greqisë, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë dhe iu ofroi ryshfet punonjësve të policisë, me qëllim shmangien e kontrollit, bie në prangat e policisë një 56-vjeçar.

Sekuestrohet 2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe 600 euro.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së riskut dhe shkëmbimit të informaciomeve me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë përzgjedhur për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip “Mitsubishi” me drejtues shtetasin Gj. Z., 56 vjeç, banues në Shkodër.

Si rezultat i kontrollit të ushtruar në mjet, në bagazhin e tij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 pako me peshë 2 kilogram lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Shtetasi Gj. Z., ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë duke iu ofruar 600 euro, me qëllim shmangien e kontrollit.

Veprimet e mëtejshme procedurale dhe hetimore, u kryen nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.