Një çift, pronar i një qendre masazhi në zonën e “Tregut Çam” në Tiranë, është arrestuar nga Policia. Bëhet me dije se çifti i bashkëjetuesve e kishte përshtatur biznesin e masazheve për prostitucion.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Couple 1”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– F. D., 39 vjeç dhe M. E., 33 vjeçe (bashkëjetues), për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasja I. A., 21 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Shtetasit F. D. dhe M. E. administronin një qendër masazhesh, në rrugën “Shyqyri Bërxolli”, në të cilën kishin punësuar shtetasen I. A.
Përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, në këtë ambient ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.