Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica, është arrestuar nga policia dhe akuzohet për dy vepra penale. Sipas mediave vendase, Medenica u ndalua në aeroportin e Podgoricës, nën dyshimet për dy vepra penale, atë të krijimit të organizatës kriminale dhe ndikim të paligjshëm.

Arrestimi i saj vjen pasi mediat publikuan transkriptet e mesazheve të shkëmbyera mes djalit të saj, Milos Medenica, dhe oficerit të policisë Darko Laloviç, në të cilat ata organizonin blerjen e kokainës dhe cigareve kontrabandë në portin e Tivarit.

Në transkriptet e bisedave bë aplikacionin e koduar të mesazheve Sky ECC, Milos Medenica pretendoi se nëna e tij ishte në dijeni të biznesit të tyre të paligjshëm dhe tha se ata mund të presin mbrojtje prej saj.

Pas përzgjedhjes së telefonatave, në mars u konfirmua zyrtarisht se Medenica përdorte një telefon të enkriptuar përmes të cilit kontraktonte kontrabandën e drogës nga Kolumbia, si dhe kontrabandën e cigareve.

Në ato biseda, siç shkruan Vijesti, Milos Medenica ka treguar se nëna e tij ishte në dijeni të “punës” së tij dhe se do t’i mbronte nëse do të ishte e nevojshme, “sepse ajo di shumë”.Ministria e Drejtësisë, tha të hënën se arrestimi i Medenicës ishte një sinjal pozitiv për luftën e vendit kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Më 6 prill, Vesna Medenica mohoi akuzat kundër saj dhe u bëri thirrje autoriteteve që të hetojnë.

Pas arrestimit të saj të dielën, ajo u shtrua në spital pasi është ndier keq.

Medenica ishte në krye të Gjykatës së Lartë për 17 vjet, deri në dorëheqjen e saj në fund të vitit 2020.