Është zbardhur dosja e rekursit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dorëzuar në Gjykatën e lartë për Saimir Tahirin.

Gati 40 ditë pasi ish-ministri shkoi në qelitë e burgut për të kryer një dënim me 3 vjet e 4 muaj burg, SPAK e ka ridërguar çështjen e tij në Gjykatën e Lartë. Në këtë gjykatë, SPAK kundërshton vendimin e Apelit të Posaçëm të 2 shkurtit të këtij viti, që la të pandryshuar shpalljen fajtor të Tahirit për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” por shfuqizoi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke detyruar dërgimin e ish-zyrtarit të lartë në burg.

Sipas rekursit të depozituar nga SPAK, Gjykata e Apelit ka gabuar, kur në vlerësim të provave dhe argumenteve të paraqitura në proces, ka cilësuar akuzën penale ndaj të pandehurit Tahiri si “shpërdorim detyre”. Sipas prokurorëve të SPAK, ish-ministri duhet të fajësohej për “trafik të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal”, vepra për të cilat në vijimësi ata kanë kërkuar 12 vjet burg për të. I njëjti argument është përdorur në rekurs edhe për të bashkëpandehurin e Tahirit, ish-drejtuesin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Në përfundim SPAK i kërkon Gjykatës së Lartë të prishë vendimin e Apelit të Posaçëm dhe ta kthejë çështjen për rigjykim po në Apel, por me një trupë të re gjyqtarësh. Aktualisht, ish-ministri Tahiri po vuan dënimin në burgun e Fierit, ndërsa Jaeld Çela përfitoi lirim të parakohshëm, pasi kreu më shumëse 2/3 e dënimit me 3 vjet e 4 muaj burg.

Në përballjen e tij me drejtësinë, të nisur në maj 2018, në vijimësi ka mbajtur qëndrim mohues ndaj çdo akuze. Por Apeli i Posaçëm, në shkurt 2022, konstatonte një marrëdhënie të pashpjegueshme mes tij e zyrtarëve të Policisë së Vlorës me anëtarë të grupit të Habilajve. Sipas Apelit, Tahiri ka favorizuar Habilajt duke iu vënë në dispozicion mjetin e tij “Audi”, si edhe ka marrë shërbime nga persona të lidhur me krimin e organizuar.