Rritja e volumit të trafikut që i dejtohet Juglindjes së vendit ka bërë që të shihet mundësia për një Bypass në qytetin e Elbasanit i cili do të shmangte kalimin nëpër qytet. Autoriteti Rrugor Shqiptar tashmë po kërkon kompaninë që do të bëjë “Studim projektim By Pass Elbasan” duke e rifreskuar projektin që ka disa kohë që diskutohet me situatën reale në terren.
“Unaza aktuale e qytetit të Elbasanit, nuk ka parametrat e nevojshme për të përballuar trafikun në rritje të këtij korridori ndërkombëtar. Prandaj dhe është më se e nevojshme studimi dhe ndërtimi i ByPass-it të qytetit të Elbasanit, duke shmangur kështu zonat urbane, rritjen e kapacitetit të lëvizjes së trafikut përgjatë korridorit VIII si dhe rritjen e sigurisë si për përdoruesit e rrugës, ashtu edhe të banorëve të zonave përreth, që ndikohen nga ky aks rrugor” thuhet në dokumentin e ARRSH.
Konsulenti që do të bëjë studimin do të duhet të analizojë në detaj zonat ku do të kalojë ky segment dhe ndikimin që do të ketë në ndërtimet e zonës si dhe të gjejë alternativën më të mirë me pasoja më minimale. Po kështu do të studiohen kushtet e tokës, ato të hidrologjisë. Projekti është menduar të nisë nga përfundimi i autostradës Tiranë-Elbasan dhe të përfundojë në dalje të qytetit në segmentin Elbasan-Përrenjas. Duke qenë se aktualisht për këtë zonë po zbatohet edhe një projekt tjetër siç është “Zgjerimi i segmentit rrugor Elbasan-Qafë-Thanë” rreth 1 440 m larg fshatit Labinot Fushë” kjo pikë është një tjetër alternativë për përfundimin e Bypassit.
Rruga është menduar që të ketë dy korsi kalimi me 3.75 gjerësi secila, një korsi emergjence, , bankinë të asfaltuar, si dhe ishull trafiku.
“Bazuar në Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Elbasan, gjurma e ByPass-it të këtij qyteti është tashmë e përcaktuar. Por evoluimi i shpejt dhe në disa raste i pa kontrolluar i ndërtimeve dhe urbanizimi i zonës përreth qytetit të Elbasanit, mund të kërkojë studimin e varianteve alternative për gjurmën e ByPass-it. Gjithashtu, nga PPV-ja nuk janë marrë në konsideratë problemet hidrologjike, gjeologjike apo edhe relievi i zonës ku kalon ByPass-i, prandaj dhe ky studim më i detajuar, do nxjerr në pah këto problematika. Zgjidhjet e propozuara në projekt-ide, në qoftë se është nevoja, edhe lëvizja e aksit të rrugës nga gjurma e parashikuar në PPV, duhet të konsultohet dhe miratohet në bashkëpunim me qeverisjen vendore, Bashkinë Elbasan” thuhet në dokument.