Në nëntor do të nisin punimet për zgjerimin e aksit rrugorë Elbasan –Qafë Thanë. Autoriteti rrugor ka hapur garën për ndërtimin e 5.3 km e para, punimet për të cilin do të nisin në fshatin Xibrakë deri në Mirakë.

Sipas kreut të autoritet rrugorë Evis Berberi projekti për zgjerimin e kësaj rruge, parashikon ndërhyrje në rrugën ekzistuese por edhe ndërtim segmentesh të reja në varësi të terrenit.

Paralelisht, ARRSH do të kryejë edhe një studim për ndërtimin e Byppas në Elbasan me qëllim shmangien e qarkullimit në qytet.

Elbasan Qafë- Thanë është segmenti kryesorë që lidh juglindjen e vendit, dhe vitet e fundit ka njohur një rritje të ndjeshme të fluksit të qarkullimit. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin e parë për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Tenderi me fondin limit prej 25 milionë eurosh me TVSh, ose rreth 30 miliardë lekë do të zgjerojë aksin rrugor nga dalja e Elbasanit deri në fshatin Mirakë, një gjatësi rreth 5 kilometra.

Në dokumentacionin shoqërues të tenderit autoriteti thotë se çmimet janë vendosur duke u bazuar te metodologjia zyrtare e përcaktimit të tyre, si dhe tek oferta e tregut.

Gjithashtu, projekti përmban ndërhyrjen me nënkalime tokësore dhe vepra arti të tjera, në vlerën e parashikuar në preventive deri në 800 mln lekë.

Aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë është pjesë e Korridorit 8 dhe nyja kryesore e lidhjes tokësore me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.

E përfunduar thuajse 2 dekada më parë, investimet e vetme në këtë aks kanë qenë për mirëmbajtje, pa ndërhyrë në gjerësinë që nuk përballon fluksin e qarkullimit që ka.

Analiza e ARRSH thotë se zgjerimi i rrugës ul aksidentet dhe bllokimet e shpeshta të këtij aksi, lehtëson qarkullimin dhe shkurton kohën e udhëtimit, si në drejtim të Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe në drejtim të Korçës duke rritur shpejtësinë maksimale të lejuar.