Kreu i Partisë Demokratike ka prezantuar një risi që do të zbatohet në shkollat shqiptare pas 25 prillit, në rast se ai bëhet kryeministër i vendit.

Basha thotë se orari mësimor do të zgjatet deri në orën 4, gjë e cila do të kërkojë shtim të numrit të mësuesve.

Në një bashkëbisedim me qytetarët nga Gjirokastra, kreu i opozitës foli dhe për ndihmën që PD parashikon për çiftet e reja, konkretisht 5000 çifte të reja çdo vit do t’u paguhet interesi i kredive për blerjen e shtëpive.

“Arsimi është një kaos total. Nuk ka transparence. Koston e paguajnë shqiptarët. T’i japim fund klientelizmit. Ne do ta zgjasim orarin mësimor deri në orën 4. Ne do ta shtojmë personelin mësimor dhe jo ta pakësojmë. Ne do të bëjmë të mundur që deri në orën 4 fëmija të qëndrojë në shkollë, të mësojë gjuhë të huaj, kompjuterin, teknologjinë. Për këtë na duhen më shumë mësues, pothuajse një dyfishim të kapaciteteve trajnuese. 

Aspekti i fundit është politika jonë që nxit familjet e reja. Çiftet e reja i kemi gjithnjë më të pakta, dhe lindëshmëria ka rënë në nivele dramatike. Çiftet e reja, çdo vit 5000 cifteve do iu heqim përqindjen e kredive. Do të ketë bonus deri në moshën 5 vjeç. Plani ynë është që të bashkohen ekonomia, arsimi,” tha Basha.

(E.H/Faxweb.al)