Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është shprehur sot se ai dhe Lajcak kanë bërë një propozim për targat, propozim ky që është pranuar nga Presidenti serb, por jo nga kryeministri Kurti.
Borrell njofton se nuk është arritur asnjë marrëveshje pas rreth 7 orësh negociata mes Kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuciç.
“Dy palët nuk u pajtuan për një zgjidhje sot”, ka thënë Borrell. Ai thotë se nga BE-ja është bërë një propozim, por nuk e ka pranuar Kryeministri Kurti. “Në dhamë një propozim për të evituar tensionet, të cilën Vuciç e pranoi, por Kryeministri Kurti ndodhi që të mos e pranojë”, tha Borrell.
“Unë pres nga Kosova që menjëherë të pezullojë gjobat në lidhje me riregjistrimin e targave dhe Serbinë që të pezullojë menjëherë lëshimin e targave KM. Ky ishte propozimi, i cili nuk u pranua”.
Borrell ka thënë se nuk mund të shërbejë “sundimi i ligjit” si pretekst për përshkallëzimin e situatës. “Ky takim ndodhi tre muaj pas takimit të krizës. Nga kriza në krizë. Dhe, kësaj here është më keq se në gusht”, tha përfaqësuesi i BE-së. Borrell thotë se u ka bërë po ashtu të ditur palëve “se nuk mund të vazhdojnë kështu”.