Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shpreh sot se asnjë shqiptari që ka vullnet për të votuar nuk do ti mohohet kjo e drejtë, për shkak se mund ti ketë kaluar afati i vlefshmërisë së kartës së indentitetit. Çuçi nuk e shprehu qartë nëse do të ketë një shtyrje të vlefshmërisë së tyre, por tha se po punohet me të gjitha palët që në 25 Prill të gjithë ata që kanë vullnet të votojnë.

Çuçi foli dhe për gjobitjen e kandidatëve për deputetë, që shkelin rregullat e pandemisë në fushatë, kur tha se askush nuk do të tolerohet. I pyetur nga gazetarët për deputetin Xhemal Qefalia që ka shkelur rregullat dhe nuk është gjobitur ende, Çuçi tha se të gjithë do të jenë njësoj përpara rregullave të vendosura.

Si do të votojnë shqiptarët që u kanë skaduar kartat e identitetit?

Çuçi: Po bëjmë të gjitha përpjekjet që shtetasit të kenë një dokument të vlefshëm. Shtetasit duhet ta kenë jo vetëm si një detyrim por edhe si një nevojë për të marrë shërbime, ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me palët, asnjë shqiptar nuk do të mbetet pa votuar nëse ka vullnetin për ta bërë atë.

A do të ketë ndëshkime të ministrave dhe deputetëve?

Çuçi: Ato janë çështje të organeve ligjzbatuese, porosia është e qartë që askush nuk do të tolerohet, vullneti jonë është shprehur qartë, dhe padiskutim që do të zbatojmë të gjitha rregullat e protokollit, u bëj thirrje të gjithë kandidatëve që të zbatojnë këto rregulla.

Faxnews