Kryeministri i Irakut Mustafa al-Kadhimi, është bërë shënjestër e një sulmi me dron, raportojnë mediat e huaja. Bëhet me dije se sulmi ka ndodhur në shtëpinë e tij në kryeqytetin Bagdad, ku kryeministri ia ka dalë që të shpëtojë mrekullisht.

Sipas zyrtarëve rezidenca e tij në Zonën e Gjelbër të kryeqytetit ishte shënjestruar nga një dron i ngarkuar me eksploziv, në një tentativë të supozuar për vrasje.

Raportet e mëparshme të mediave thanë se zoti al-Kadhimi ishte dërguar në spital. Në një postim në Tëitter, ai bëri thirrje për “qetësi dhe përmbajtje nga të gjithë, për hir të Irakut”.

Zyrtarët thanë se të paktën gjashtë persona nga stafi i sigurisë së kryeministrit u plagosën. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, në një zonë të qytetit ku ka shumë ndërtesa qeveritare dhe ambasada të huaja.

SHBA e ka dënuar incidentin dhe ka ofruar ndihmën e saj me hetimin. “Ky akt i dukshëm terrorizmi, të cilin ne e dënojmë me forcë, ishte drejtuar në zemër të shtetit irakian,” tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA Ned Price.

Al-Kadhimi, një ish shef i inteligjencës, u betua në detyrë në maj të vitit të kaluar. Në javët e fundit, mbështetësit e grupeve politike të lidhura me Iranin kanë organizuar demonstrata pranë Zonës së Gjelbër.

Ata kanë protestuar kundër rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të muajit të kaluar, për të cilat ata thanë se kishin parregullsi votimi. Më shumë se 100 persona u plagosën gjatë përleshjeve të dhunshme me forcat e sigurisë këtë javë