Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen e djeshme në Shkodër ku drejt një 25-vjeçari që lëvizte me makinë u qëllua me armë.

Fatmirësisht plumbat nuk e kapën të riun Alban Bruçi.

Mësohet se 25 vjeçari është qëlluar me 19 plumba teksa ndodhej brenda automjetit të tij, por asnjë prej plumbave nuk e ka kapur duke mos u plagosur. Më tej ai ka shkuar për të bërë denoncimin në polici për ngjarjen e rëndë.

Ndërkohë sot është zbardhur edhe dëshmia e të riut. Ai është shprehur se dy persona me motoçikletë i janë afruar dhe e kanë qëlluar. Ai thotë se nuk ka konflikte me askënd dhe nuk e di se kush mund të jenë autorët.

“Nuk e kam idenë se kush mund të jenë autorët e kësaj ngjarje. Kam qenë duke shkuar në shtëpi kur dy persona me motoçikletë u afruan dhe qëlluan ndaj meje. Në atë moment u mundova që të shpëtoj dhe eca pak metra me makinë. Pasi u larguan nuk kisha marrë asnjë plumb dhe menjëherë erdha në polici për të treguar ngjarjen. Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund ta ketë bërë”, mësohet të ketë thënë Bruçi.

Policia e Shkodrës dyshon se 25 vjeçari është qëlluar me armë zjarri pistoletë tip Scorpions e cila dyshohet se ka qenë me silenciator pasi nuk janë dëgjuar të shtënat në zonën ku ndodhi atentati.