Makina me të cilën udhëtonte Brilant Martinaj me dy miqtë e tij të cilët u ekzekutuan dje në një atentat mafioz, ishte nisur nga zona e Fushë Kuqes në drejtim të Tapizës.

Gazetarja Klodiana Lala tha se Martinaj ndaloi në Tapizë për rreth 20 minuta në një servis makinash ku kishte çuar më herët një makinë tjetër. Ky moment është filmuar nga kamerat e sigurisë.

Sipas Lalës, makina e tyre është nisur më pas në rrugën e kthimit, por ka rënë në pritën e atentatorëve, të cilë i kryen vrasjet në mënyrë brutale për të dhënë një mesazh terrori.

Pjesë nga deklarata e gazetares në emisionin “Open”:

Grupet e Lezhës po përplasen shumë ashpër me grupet e Niklës. Nga mënyra se si është kryer dhe vendi që kanë zgjedhur autorët, së pari kanë zgjedhur një vend pa kamera sigurie. Autorët që kanë shkuar për të kryer këtë krim nuk kanë patur thjesht si qëllim ekzekutimin. Janë përpjekur të çojnë një mesazh, pra “ne në mënyrën si e kemi kryer këtë krim, ne arrijmë t’ju shfarrosim të gjithëve”. Pra është hakmarrje e pastër. Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxha, nuk është se vizitoheshin shumë shpesh. Policia do i kishte shpëtuar trupat e tyre nëse do të kishin ndërhyrë me ato bombolat e shuarjes së zjarrit.

Makina ka udhëtuar nga Fushë Kuqe në drejtim të Tapizës, ka qëndruar atje për rreth 20 minuta në një servis ku kishte dërguar një makinë tjetër më parë. Dhe më pas janë larguar në rrugën e kthimit. Kamerat e sigurisë e kanë kapur Brilant Martinajn në servis.