Autoritetet e Sidneit, qytetit më të madh të Australisë, urdhëruan evakuimin e mijëra banorëve të dielën nga pjesa jugperëndimore e qytetit, për shkak të rrezikut të përmbytjeve të fuqishme që pritet të jenë edhe më të mëdha se ato që goditën rajonin vitin e kaluar.
Shirat e dendur, kombinuar me lumenjtë e liqenet e digave të tejmbushur, paraqesin kërcënim për përmbytje të shpejta e rrëshqitje të dheut përgjatë bregut lindor, nga Newcastle deri në gjirin Batemans, në shtetin e New South Wales-it. Sasia e shirave pritej të intensifikohej të dielën në mbrëmje.
Kjo është një situatë që po zhvillohet me shpejtësi dhe ka prekur zona të cilat nuk kanë përjetuar kurrë përmbytje më parë“, tha në një konferencë për shtyp ministrja e Shërbimeve të Urgjencës në New South Wales, Steph Cooke. Ajo shtoi se situata paraqitetet tejet kërcënuese.
Në shumë zona ka rënë më shumë se 200 milimetra shi dhe në disa të tjera sasia ka arritur në 350 mm sipas Byrosë së Meteorologjisë, që paralajmëroi mbi rrezikun e përmbytjeve përgjatë lumenjve Nepean dhe Hawkesbury.
Shirat e dendur bënë që diga kryesore e Sidneit të derdhej të dielën herët në mëngjes.
Vetëm sot janë regjistruar rreth 2,000 thirrje për ndihmë dhe në 24 orët e fundit janë shpëtuar nga përmbytjet 29 persona, mes tyre një grua e cila kishte qëndruar kapur pas një shtylle për rreth një orë./VOA