Shkëlzen Kastrati u vra nga një person, i cili duket se ka qenë mjaft profesionist.
Atentatori ka qenë në makinë në momentin që ka qëlluar, ndërsa viktima ka marrë dy plumba që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Siç raporton gazetarja Inelda Vallja, autori ka përdorur një armë automatike, me silenciator, çka ngre dyshimet se kemi të bëjmë me vrasës profesionist.
Pas ngjarjes, autori është larguar me një makinë tip “Range Rover”, me targa greke, e cila u gjet më pas e djegur në fshatin Daullas të Fierit.
Ndërkohë sipas gazetarit të kronikës në Ora News, Elton Qyno shprehet se autori është treguar shumë profesionist duke mos lënë asnjë gjurmë në vendin e krimit,
Sipas tij, policia po punon me kamerat e sigurisë në zonë për të bërë të mundur identifikimin e autorit.
Kush është viktima e sotme?
Shkëlzen Kastrati është vëllai i Kelmend Kastratit. 35-vjeçarit iu bë një atentat në janar të vitit 2016. Në atë kohë, policia raportoi se atentati ishte kryer për shkak se Kelmend Kastrati dyshohej të ishte përfshirë në një vrasje dhe një plagosje të ndodhura disa vite më parë.
Familja Kastrati ka probleme me një tjetër familje në Fier dhe policia dyshon se për shkak të këtyre problemeve kanë ndodhur disa ngjarje të rënda në Fier. Atentati ndaj Kelmend Kastratit në janar 2016 dysohet se u krye nga njëri prej anëtarëve të familjes në fjalë.
Nga atentati atëherë mbeti i vrarë Denis Kasaj që drejtonte makinën dhe u plagosën Kelmend Kastrati dhe Elton Margariti.
Njoftimi i policisë Fier për ngjarjen e sotme:
Informacion paraprak
Sot rreth orës 10:30, në vendin e quajtur “Ura e Sheqit”, një shtetas i paidentifikuar, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. K., i cili ka qënë në automjetin tip “Benz”.
Autori është larguar nga vendngjarja me një automjet tip “Range Rover”, i cili u gjet nga shërbimet i djegur te vendi i quajtur “Mbikalimi i Baltzës”.
Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Ora news