Policia e Elbasanit ka arrestuar ditën e sotme dy persona të cilët qëlluan me thikë një 26-vjeçar në ambientet e një lokali, pas një sherri për motive banale.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit Leonard Manxhari 43 vjeç, dhe Dardan Krasniqi, 37 vjeç, të cilët kanë kryer aktin e rëndë, si dhe është shoqëruar pronari i lokalit, shtetasi Andrea Çoni, 54 vjeç, për shkak të fshehjes së ngjarjes nga organet ligjzbatuese.

Gjithashtu bëhet me dije se i plagosuri ndodhet në spitalin e qyteti në gjendje të qëndrueshme shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i plotë: Elbasan

Goditën me mjet të mprehtë (thikë) një shtetas, arrestohen në flagrancë nga Policia 2 autorët e ngjarjes.

Arrestohet në flagrancë dhe pronari i lokalit ku ndodhi konflikti, për moskallëzim krimi.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit:

L. M., 43 vjeç dhe D. K., 37 vjeç, banues në Elbasan.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi mbrëmjen e djeshme, në një lokal në lagjen “11 Nëntori”, Elbasan, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur për motive të dobëta, me mjet të mprehtë thikë,  shtetasin E. L., 26 vjeç, banues në Elbasan, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Në vijim të veprime procedurale dhe hetimore është arrestuar në flagrancë edhe pronari i lokalit, shtetasi A. Ç., 54 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka qenë i pranishëm në vendngjarje dhe nuk ka raportuar në organet ligjzbatuese.

Materiale hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme./Egnatia News