Tërmeti me magnitudë 6 që tronditi mëngjesin e kësaj të hëne Kretën në Greqinë fqinje, i mori jetën një punëtori i cili po riparonte një kishë të dëmtuar më herët nga një tjetër tërmet. Viktima ishte baba i dy fëmijëve dhe kohët e fundit ishte bërë edhe gjysh.

Së bashku me djalin e tij, ndërtuesi 62-vjeçar po punonte në rikonstruktimin e një kishe të vogël në Profitis Ilias në Arkalochori, kur u zu poshtë nga rrënojat. Në mesin e të plagosurve është edhe djali i tij, i cili mësohet se ka pësuar fraktura.

Vdekjen e punëtorit e konfirmoi edhe kryebashiaku i Viannos, Minas Stavrakakis, i cili duke folur greken Protothema, shprehu hidhërimin për humbjen e “shokut të tij të klasës dhe mikut të tij”.

“Fatkeqësisht, miku im i dashur vdiq tragjikisht mëngjesin e sotëm në kishën Prophet Elias. Në momentin kur ra tërmeti ai po punonte me djalin e tij në kishë, kur çatia e zuri poshtë duke humbur tragjikisht jetën. Nga ajo që dimë deri më tani, djali i tij mbeti po ashtu i bllokuar së bashku me një tjetër person, i cili arriti të merrte në telefon shërbimet e emergjencës. Ata aktualisht ndodhen në spital. Djali i tij është në gjendje shoku, siç mund të kuptohet kjo është një kohë e vështirë. Viktima ishte baba i dy fëmijëve dhe kohët e fundit ishte bërë gjysh”, tha Stavrakakis.

Përveç dëmeve të shumta, tërmeti i kësaj të hëne që e kishte epiqendrën në Heraklion, la të plagosur edhe 11 persona të tjerë.