Dy persona, babë e bir, kanë humbur jetën gjatë natës në Berat si pasojë e një zjarri që përfshiu 3 banesa në lagjen “Muzakaj” në të gdhirë të datës 8 mars 2021.

Ata janë Jovan dhe Mateo Vangjeli, 61 dhe 36 vjeç. Policia identifikoi fillimisht trupin e babait i cili u gjet në shtratin e tij në dhomën e gjumit. 61-vjeçari ishte një invalid, çka mendohet se ka bërë të pamundur edhe lëvizjen e tij gjatë momentit të zjarrit.

Disa orë më pas u gjet i pajetë edhe djali i tij Mateo. Mendohet se shkak është bërë një rezistencë elektrike që përdorej për ngrohje.

Për emisionin “Shqipëria Live” ka dhënë intervistë vëllai i Jovani, Kleanthi Vangjeli, i cili tregoi edhe bisedën e fundit me vëllain dhe nipin e ndjerë.

Erdha e takova vëllain, e puthja e përqafoja. Më thoshte ik, ç’bën kështu. Të kam shpirt, të kam zemër. Ndërsa për Mateon nuk më tret dheu. E kam takuar ditën e diel, u revoltua pak me mua. Më tha pse nuk më takon mua. Doli te dera e më tha: ik se nuk të dua, nuk të vij më, as më hajde më”, tregoi xhaxhai i Mateos.

Më pas ai tregoi edhe momentin kur mori vesh se ka rënë zjarr në shtëpinë e të vëllait.

“Më mori një shok në telefon e më thanë se ka rënë zjarr. Mora nipin në telefon më dilte i fikur, erdha këtu e pashë zjarrin. As çerek ore vëllai u nxor. Nuk më lejonin që të hyja brenda që t’i ndihmoja. Trupat u gjetën pranë njëri-tjetrit. Kur u bënë kërkimet ju thashë vëllai flinte këtu. Për djalin u vonuan pak ta nxirrnin. Shkëndija elektrike mund të ketë qenë shkak, këto janë shtëpi 200-vjeçare”, tha Kleanthi.

Ai gjithashtu tregoi se babë e birë kanë qenë duke bërë sherr, e më pas sipas tij, ka kërcitur flaka.