Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në oren 10:00 në seancë plenare për të diskutuar dhe miratuar disa projektligje. Në rendin e ditës janë projektligje si ai për noterët, apo për regjistrimin e pronave apo profesionin.

Ndërkohë, jashtë sallës së Kuvendit po mbahet një protestë. Bëhet fjalë për banorët e “5 Majit” të cilëve pak ditë më parë u janë prishur banesat.

Në protestë janë bashkuar dhe banorët e Laprakës.

Policia po ndërhyn të lirojë rrugën deputetëve. 

Banorët e 5 Majit kanë kërkuar nga Qeveria dhe institucionet transparencë lidhur me projektin e rindërtimit, ndërsa javën e kaluar disa qindra forca policore mësynë në zonë duke nxjerrë dhunshëm banorët nga banesat, të cilat më pas u rrafshuan nga fadromat e Bashkisë së Erion Veliajt.

Banorët e Laprakës preken nga projekti i “Unazës së Madhe” të kryeqytetit. Bëhet fjalë për rreth 700 shtëpi, por zyrtarisht janë njoftuar vetëm ata banorë që kanë certifikatë pronësie.

Ata thonë se nuk do të dalin nga banesat nëse ato nuk vlerësohen me çmimin e tregut.

Ndërsa të tjerët nuk e dinë ende fatin e shtëpive të tyre, ku kanë investuar mundin e një jete.