Atë që e kishte deklaruar me dyer të mbyllura në mbledhjen me kryesinë e grupit parlamentar, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha e artikuloi sot publikisht.

Për gazetarët ai përjashtoi mundësinë e e mbajtjes së referendumit apo mbledhjes së Kuvendit të PD-së, duke deklaruar se PD nuk do të mbledhë Kuvend që shqyrton vendimet e qeverisë amerikane.

“Sa i përket pretendimeve për referendume dhe kuvende, Kuvend të Partisë Demokratike për të marrë në shqyrtim vendimet e qeve4isë amerikane nuk ka për të pasur”.

Pyetje: Edhe nëse Berisha mbledh firmat?

“Objektivat tona janë përballja me Edi Ramën dhe regjimin e tij dhe gjithë energjia jonë është e fokusuar këtu. Nuk ka për të pasur Kuvend të PD, nuk ka për të pasur Kuvend të PD që shqyrton vendimet e qeverisë amerikane”.

Sakaq Basha refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve nëse ka ushtruar presion ndaj kryetarëve të degëve të PD për të mos marrë pjesë në takimet e Berishës apo nëse do ti bashkojë votat me mazhorancën për zgjatjen e afatit të komisioneve të vettigut.