Me tone të forta ka folur sot kreu i PD Lulzim Basha gjatë seancës plenare. Kjo pasi Basha i ka kërkuar Kuvendit që të shprehet për kreun e Grupit të PD pas depozitimit të kërkesës në Parlament për heqjen nga posti të Gazment Bardhit dhe delegimin e detyrës tek nënkryetarja e partisë, Flutura Açka.

Basha akuzoi mazhorancës se po zvarrisin përfaqësimin e PD, teksa i cilësoi veprime të njëanshme.

“U bë një muaj që ky njoftim dhe vendimet e mëparshme të PD injorohen dhe nëpërkëmbën nga ana juaj. Ju thatë se do bënit publik vendimin tuaj, ju s’bëtë publik asnjë vendim dhe merrni zvarrë përfaqësimin e PD-së duke vendosur sipas qejfit dhe dëshirës tuaj, dhe jo sipas Kushtetutës. Fshiheni pas një akti administrativ siç është rregullorja e Kuvendit, por nuk ju të drejtë që ta vononi 1 muaj. Flini për vendime të grupit parlamentar të PD, nuk ka vendime të PD-së, janë veprime të njëanshme, dihet pse i bëni sepse e doni opozitën siç doni ju. Doni ta bëni gjithë Shqipërinë Kukës, jepni fund kësaj maskarade, është detyra juaj të shpreheni. Nëse keni vendosur në kuliasat tuaja të errëta e të non grata ki guxim dhe dil e thuaj shqiptarëve që je pjesë e aleancës”- u shpreh Basha.