Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha i mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ka përfunduar.

Basha: Sot është mbajtur Kuvendi i Demokratëve. Të gjitha të tjerat janë përpjekje personale të një njeriu për t’i kthyer demokratët në mish për top. 

Lulzim Basha në fjalimin e tij në Kuvendin e sotëm, u ndal gjatë te përbërja që do të ketë Partia Demokratike e së nesërmes. Ai tha se në PD nuk do të gjejnë vend të inkriminuarit, ata që kanë lidhje me periudhën e diktaturës dhe personat “non grata” që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë.Një ndër frazat më të përmendura të Lulzim Bashës gjatë Kuvendit ishte se Partia Demokratike sot do të jetë Shqipëria nesër, teksa risolli disa herë në vëmendje se gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Sipas Bashës, sfida e PD-së mbetet kthimi i besimit të shqiptarëve, largimi i qeverisë Rama dhe shkërmoqja siç u shpreh ai i brinjëve të Trekëndëshit të Bermudës.

Jemin Gjana, Kryetari i komisionit që drejtoi punimet e Kuvendit, bëri me dije se të pranishëm në pallatin e Kongreseve ishin 5 mijë e 4 delegatë, të cilët votuan ndryshimet në statut të propozuara nga Kryesia e Partisë Demokratike.