Bashkia e Elbasanit ka zgjedhur të ketë në fokus të saj parësor shërbimin e përditshëm ndaj qytetarëve dhe të mos harxhojë kohë e energji duke u marrë me baltën që hidhet qëllimisht për të spekuluar e keqinformuar rreth çdo pune që bëhet në qytet.
Por nisur nga nga një shkrim i publikuar në media dhe rrjete sociale, i cili aludon për shpërdorim fondesh nga Bashkia Elbasan dhe përzgjedhje preferenciale të operatorëve fitues në tendera sqarojmë qytetarët sa vijon:
Bashkia Elbasan në datë 23.01.2023 ka shpallur procedurën e hapur për blerje karburanti. Në garë morën pjesë tre operatorë ekonomikë.
Për blerje karburanti Bashkia e Elbasanit vuri në dispozicion shumën 30.291.667 lekë pa TVSH. Ky është fondi limit i përcaktuar për blerje karburanti dhe jo ofertë e operatorëve ekonomikë, pasi bazuar në VKM nr.285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të Prokurimit Publik”, i ndryshuar, ofertimi në rastin e procedurave për blerje karburanti bëhet me marzh fitimi në vlerë absolute.
Në këtë rast ofertat janë:
OPERATORI 1 i ofroi Bashkisë Elbasan karburant me marzh fitimi 10,80 L/litër.
OPERATORI 2 i ofroi bashkisë Elbasan karburant me marzh fitimi 17,00 L/ Litër.
OPERATORI 3 e ofroi karburantin me marzh fitimi 25,00 L/Litër.
Në bazë të ligjit nr. 162, datë 23.12.2020 “Për Prokurimin Publik” u shpall fitues operatori ekonomik që ofroi marzh më të ulët fitimi, pra në këtë rast OPERATORI 1 me 10,80 L/Litër në diferencë të konsiderueshme nga dy operatorët e tjerë.
Bashkia Elbasan ka përdorur me eficensë fondet publike pasi ka përzgjedhur operatorin që ofroi marzhin më të ulët të fitimit duke përfituar më shumë sasi karburanti brenda vlerës së fondit të përllogaritur.
Në zbatim të ligjit operatori fitues është ai që ka përmbushur kriteret e përcaktuara në dokumentat e tenderit, dhe ka ofruar çmimit më të ulët.
Ndërkohë dy operatorët e tjerë nuk kanë plotësuar të gjithë kriteret e përcaktuara në dokumentacion, por edhe kanë ofruar çmimin më të lartë.
Pavarësisht informacioneve të rreme që kanë synim të bëjnë pis imazhin e Bashkisë së Elbasanit dhe të investimeve që nuk janë ndalur asnjë ditë, ne do të vijojmë të përdorim me korrektësi dhe përgjegjshmëri taksat e qytetarëve duke i përkthyer ato në punë, shërbime dhe investime.