Në Bruksel, të enjten dhe të premten zhvillohet samiti i liderëve të Bashkimit Evropian, nga i cili do të shprehet mbështetje edhe për marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, dhe do t’u bëhet thirrje të dyja palëve që të zbatojnë këtë marrëveshje.
Temat kryesore të samitit do të jenë Ukraina, forcimi i ekonomisë evropiane, energjia, emigracioni dhe forcimi i eurozonës.
Por, liderëve të BE-së pritet t’u raportojë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Pajtimi i arritur mes palëve në Ohër, të shtunën e shkuar, do të jetë pjesë edhe e konkluzave nga ky takim i liderëve të vendeve anëtare të BE-së.
“Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen e arritur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për aneksin për implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u bën ftesë të dyja palëve që në mënyrë të përshtatshme dhe me mirëbesim të implementojnë obligimet e tyre përkatëse“, thuhet në këtë tekst.
Për këtë temë ishte diskutuar edhe më herët gjatë javës, në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së.
Edhe atyre u kishte raportuar Josep Borrell. Ai e kishte quajtur si një “status quo të ri“ në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që do të sigurojë kalimin nga një fazë e krizave, në një fazë të implementimit të marrëveshjes.
Shumë shtete të BE-së e kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur në Ohër, dhe kanë kërkuar që fokusi tani të drejtohet kah implementimi. Burimet diplomatike në Bruksel kenë thënë se disa shtete kanë ftuar që të ketë “kujdes të shtuar“ nga ana e BE-së në mënyrë që të sigurohet zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes dhe që të mos lejohet devijimi nga obligimet për asnjërën palë.
Në struktuarat e BE-së pritet të nisin edhe procedurat që implementimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe formalisht në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, dhe në raportimin e një Komisioni të veçantë për normalizim për Kosovën.
Në BE kanë përsëritur se, ndonëse nuk është nënshkruar marrëveshja formalisht, për shkaqe ligjore, zbatimi i saj dhe i aneksit për implementim është detyrim për palët. /REL