Rusia ka reaguar pas vendimit të Bashkimit Evropian për pezullimin e vizave të qytetarëve të saj. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti, Moska ka theksuar se Evropa do të ketë pasoja nga ky vendim.vizat

“Shkelja, anashkalimi apo tërheqja e BE-së nga marrëveshja për lehtësimin e vizave me Rusinë nuk do të mbetet pa pasoja. Ne do të vendosim vetë nëse masat do të jenë simetrike, asimetrike apo diçka që BE-ja nuk e pret”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko për agjencinë e lajmeve.

Pas një takimi jozyrtar dyditor në Pragë, ministrat e jashtëm të BE-së arritën të mërkurën konsensus politik për të pezulluar plotësisht marrëveshjen për lehtësimin e vizave midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë, transmeton CNN.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se vendimi “do të reduktojë ndjeshëm numrin e vizave të reja të lëshuara nga vendet anëtare të BE-së, duke qenë se procesi do të bëhet më i vështirë dhe do të zgjasë më shumë.

Vizat tashmë ishin të kufizuara për disa kategori shtetasish rusë. Borrell tha se ky nuk është një tekst ligjor, por vetëm një marrëveshje politike në këtë pikë