Këngëtarja Jennifer Lopez dhe aktori Ben Affleck janë fejuar. Lajmin e bëri të ditur këngëtarja në rrjetet e saj sociale teksa shfaqej e emocionuar dhe mbante në gisht një unazë diamanti ngjyrë jeshile. Ajo madje ndryshoi edhe emrin e saj në rrjetin social “Twitter” duke vënë simbolin e unazës pranë username-it të saj.

Kjo fejesë është e dyta për çiftin pasi në Nëntor të vitit 2002, Ben Affleck i propozoi Jennifer Lopez me një unazë me diamant rozë 6.1 karatësh me vlerë 2.5 milionë Dollarë.

Fejesa e tyre nuk përfundoi në martesë pasi vëmendja e lartë e mediave detyroi çiftin të anulonte dasmën e tyre në vitin 2003. Por siç duket e gjitha kjo ka mbetur pas në kohë pasi çifti duket tani më i gatshëm se kurrë të shkojë drejt altarit.

Pas rikthimit me njëri-tjetrin në Prill të vitit 2021, çifti kanë pasur dalje të ndryshme për mediat së bashku, ku Affleck është shprehur se ky shans i dytë me këngëtaren ka qenë për të një nga shanset më të bukura në jetë.