Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se ish-kreu i PD Lulzim Bashës po tenton të krijojë parti të re.
“6 marsi tregoi se janë dy, një grupi me 31% të votave dhe një me 11% të votave. Pakica në një parti është e përjetshme sepse ke njerëz që mendojnë ndryshe por ata janë të kënaqur dhe nuk largohen. Përpjekja për të kapitalizuar atë çarje është përpjekje për të krijuar një parti të re dhe Basha kalon nga qyteti në qytet duke u deklaruar se do krijojë parti, nuk them gjë, nuk them se nuk e bën dot por ka një gjë, ekziston një grup që përpiqet të krijojë një parti, uroj të ndryshojnë mendje dhe të kthehen në parti, Basha aktualisht është anëtar i këshillit dhe deputet, se ca rruge do ndjekë ai nuk e di, është punë e tij”, tha Berisha në emisionin “Të Paekspozuarit”.
Berisha flet edhe për rikthimin në selinë blu. “Së pari cili ishte qëndrimi im? Njeriu i parë që takova në seli ishte Alibeaj dhe Bardhi, me njerëzit e parë që u ula aty dhe në prani të mediave, s’takova asnjë tjetër para tyre. U them, Basha mori përgjegjësitë për zhvillimet e pas 9 shtatorit, mendoj se kjo hap rrugën për një bashkim tonin dhe për të arkivuar këtë ndarje, përgjigjja e tyre ishte kjo, ai dha dorëheqjen dhe ti duhet të japësh dorëheqjen, mirëpo këtë skemë ma ishin thënë më parë, në anglisht ma thanë skemën, s’ka rëndësi por skema erdhi, kur më është kërkuar ti marr PD Bashës e kam refuzuar, para 3-4 vitesh…. direkt Donald Lu më ka dërguar person në zyrë, se po më bëni ta them, biseda me të qe shumë miqësore, i erdhi rrotull, por direkt personi më ka ardh nga Donald Lu, por nuk më ka shkuar mendja që ta dëgjoj atë këshillë, nuk jam njeri që lëviz në atë mënyrë… këto që thoshte Alibeaj që duhet të japësh dorëheqjen e kisha refuzuar dhe s’kishte si të më thoshte se unë nuk isha shkaku. Në qoftë se këta insistonin në teza që i shpalli në momentin e dorëheqjes, unë nuk mund të pranoja gjëra të tilla, kisha filluar një proces nga baza, kisha ardh deri këtu, me bindjen se Shqipërisë i duhet një opozitë e vërtetë”.