Nga Shkodra në një bashkëbisedim me demokratët ish-kryeminuistri, Sali Berisha iu bëri thirrje demokratëve për bashkim. Berisha tha se Partia Demokratike kaloi një problem brenda familjes që duhet ta kapërcejmë.
“U bëj thirrje të gjithë demokratëve të bëjnë gjithçka për bashkimin. Ne nuk i mohojmë realitetet por i ndryshojmë ato. Ne kaluam një problem brenda familjes, çfarëdo që të themi ai ishte një problem brenda familjes, jo me ekstremistët e majtë, jo problem me fallanga armiqësore ndaj nesh. U krijua padrejtësisht, ne duhet ta kapërcejmë ta shërojmë plotësisht duke nisur nga Shkodra e në mbarë Shqipërinë.
Ne na përket të bëjmë çdo përpjekje që anëtarët tanë, simpatizantët tanë dhe të gjithë ata të cilët konsiderojnë këtë regjim një regjim fund e krye anti-shqiptar të bashkohemi për një betejë të ashpër shumë të fortë. Besoj se këtu proceset po ecin e ju siguroj që mbetem i përkushtuar personalisht të bëj gjithcka për këtë proces në interesin më të mirë të një fitoreje të ardhshme.
Asnjëherë s’duhet të ngatërrojmë një problem brenda shtëpisë me një problem me kundërshtarin tonë të egër me të cilin ndahemi në shumë e shumë gjëra”, tha Berisha.