Ish-kryeministri Berisha është futur i vetëm me makinë në oborrin e Kuvendit, ku është pritur te dera e automjetit nga Edi Paloka, Flamur Noka dhe Tritan Shehi. Ky është një mesazh i fortë ndaj Lulzim Bashës për vendimin e mbrëmshëm, përmes të cilit ai e përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Berisha tha për mediat se Rama dhe Basha kanë një marrëveshje okulte me njëri-tjetrin dhe se ai tashmë do të punojë për të rikthyer legjitimitetin e PD-së.

Ish-kryeministri Berisha u përshëndet fillimisht me një grup militantësh të PD-së që kishin dalë në hyrje të godinës së Kuvendit për të kundërshtuar vendimin e përjashtimit të tij nga grupi parlamentar.

Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe mëngjesit të sotëm ai ka bërë deklarata të forta duke folur për një marrëveshje okulte Basha-Rama, e cila sipas tij i hoqi përfundimisht sovranitetin partisë. /abcnews