Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se në SPAK po ndodh një tragjikomedi, betejë e turpshme mes Ramës dhe Kim.

Në konferencë me gazetarët, Berisha duke folur për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK theksoi se kryeministri dhe ambasadori me ligj nuk kanë asnjë lidhje me emërimin.

“Vijmë te tragjikomedia e paimagjinueshme që po ndodh me atë që duhej të ishte institucioni i shpresës së shqiptarëve, me SPAK-un. Kurrë në histori, as në romanet e Markezit, nuk mund të gjesh një betejë të turpshme midis një kryeministri dhe një ambasadori që me ligj nuk kanë asnjë lidhje me emërimin e kreut të SPAK-ut. Nuk ndërhyn dot në hetim te prokurori, me Kushtetutë. Beteja është surrealiste. Nuk ndodh kurrë”, tha ai.

Berisha akuzoi ambasadoren e SHBA-së Yuri Kim se po mbron dështimin e reformës së Sorosit në Shqipëri.

“Ajo mbron në minumim dështimin e reformës së Sorosit në Shqipëri. Por mundet edhe më shumë. Ajo mbron mashtrimet që i ka bërë shefave të vet, ajo mbron veten sepse ka përdorur korrupsionin për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri. Ndaj dhe ajo nuk njeh kufi, ndaj edhe sillet kështu. Po pse sillet në këtë mënyrë? Sepse e ka peng me dosjen Edi Rama. Nuk ndodh kurrë në botë kjo. Nuk kam lexuar kurrë që në mënyrë kaq të paskrupullt, kaq jo dinjitoze, kaq fyese për një popull dhe vend sovran, të sillet një përfaqësuese e vendit që konsiderohet partneri strategjik më i rëndësishëm”, tha ai.