Ish kryeministri i vendit, Sali Berisha, nga “Foltorja” e Kavajës ka shpallur të martën kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike.

Deputeti Ervin Salianji tha në emisionin “Publikisht” të Blerta Tafanit në RTSH se zgjedhjet për kryetar të PD janë në vitin 2025, duke nënvizuar se partitë politike funksionojnë në bazë të disa rregullave të brendshme.

“Zgjedhjet për kryetar të PD janë bërë në qeshor 2021. Do bëhen në qershor 2025. Kushdo mund të kandidojë për kryetar të PD. Sot PD ka kryetar Lulzim Bashën. Partitë politike kanë disa rregulla të brendshme për funksionimin”, u shpreh Salianji.

Ai shtoi se lëvizja e Berishës mund të konkretizohet vetëm në rast se futet në shina institucionale, por deklaroi se PD nuk mund të fitojë në rast se marrëdhënia e saj me SHBA, do të jetë e cenuar.

“Çdo proces duhet të kalojë nga 50% +1 për të kaluar në Kuvendin Kombëtar. Vetëm ligji dhe futja në shina institucionale e zgjidh. PD nuk mund të fitojë duke pasur marrëdhënie të cenuara me SHBA. Në rast se do hyjë në shina institucionale dhe nëse është ligjore do ketë lëvizje. Orientimi euro-atlantik i PD nuk ndryshohet. Sepse PD e ka në themel këtë. Kuvendi mblidhet. Por në këto moment që jemi nuk ka asnjë gjasë që të ndodhë”, deklaroi në RTSH deputeti demokrat.