Gjatë takimit në Lezhë ku z.Berisha do të prezantojë kandidatin e opozitës për kryetar bashkie, ai u shprehu qindra demokratëve që ishin mbledhur duke i ofruar një pritje të zjarrtë, mirënjohje të pakufishme. Ai tha se demokratët që ishin mbledhur në atë pritje i çonin mesazhe drithëruese atyre që në pallatet e krimit mendojnë se mund të mposhtin opozitën shqiptare dhe mendojnë se do të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtëtin e tyre, që bazohet në vjedhje krim e drogë.

Në vijim z.Berisha u shpreh:

“Të dashur, demokrate e demokratë lezhjanë. Të nderuar deputetë të PD-së, zonja Metaliaj, zonja Hoti, zoti Piroli. Të dashur kandidatë dhe kryetarë të ardhshëm të bashkisë Lezhë, Pashk Gjoni, Behar Haxhia, Alfred Mëlyshi. Zonja e zotërinj, së pari një mirënjohje të pakufishme për ju, me këtë pritje të zjarrtë dhe entuziaste ju çoni peshë sot, zemrat e qytetarëve dhe demokratëve të Lezhës dhe mbarë Shqipërisë.

Ju i çoni mesazhe drithëruese atyre që në pallatet e krimit mendojnë se mund të mposhtin opozitën shqiptare, mendojnë se do të vazhdojnë pushtetin e tyre të bazuar mbi vjedhjen, krimin, drogën dhe poshtërsinë. Mendojnë se mund të mbajnë Shqipërinë si çifligun e tyre dhe familjarëve të tyre. Mendojnë se do të përzënë edhe shqiptarin e fundit nga kjo tokë, vetëm e vetëm se ai nuk mund ti kundërshtojë.

Ky entuziazëm, kjo prani, kjo fushatë ka mesazhin më të fuqishëm, ne jemi këtu dhe do të fitojmë. Miqtë e mi. Demokratë e demokrate, qytetarë e qytetare! Sot Shqipëria nga ky regjim po shkretohet çdo ditë e më shumë. Shqipëria ka humbur në 8 vite 1/3 e popullsisë së saj. Në 8 vite vetëm në hapësirën e BE-së janë larguar 937 mijë shqiptarë, nga të cilët rreth 80% nën 30 vjeç.

Kjo është politikë gjenocidi, politikë shkretëtitimi, shkretimi, shpopullimi të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo është politika me mjetet të tjera të cilën do ti thoshte hetuesit mizor At Zef Pllumi, se pas nesh do të jemi vetëm ne, por do të jemi ne, do të jenë shqiptarët, kurse ju që praktikoni këtë politikë do të përfundoni në koshat e historisë”,