Ish-Kryeministri akuza qeverisë për integrim dhe trafikun e drogës. Pas turit në Durrës, ish-Kryeministri Sali Berisha u ndal në qytetin e Beratit, duke u takuar me demokratët për garën për kreun e Partisë Demokratike.

Berisha kontestoi procesin që po ndiqet për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, duke e cilësuar Alibeajn si një pseudo-opozitar dhe jashtë procedurave që përcakton Kushtetuta e vendit.

“Ditën e dielë të merrni pjesë, të votoni të lirë në ndërgjegjien tuaj. Votoni për të bërë kontrastin më të madh mes procesit tuaj dhe farsës së turpshme që po zhvillon Edi Rama”.

Berisha në fjalën e tij akuzoi Kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tij Shqipëria është kthyer në rrugën kryesore të trafikut të heroinës.

“Patëm një qeverisje që kalonte nga skandali në skandal, nga rekordi i zi në rekordin e zi. Sot Shqipëria është rruga kryesore e heroinës në Evropë, porti i Durrësit është shndërruar në një nga portet më kryesore të kokainës. Problemi është se Kryeministri flet më me pasion për kanabisin se për grurin, ullirin, se për fikun, se për arrat, drurët frutorë, pa le më që lopët dhe blegtorinë nuk i vë më në gojë”.

Berisha akuzoi ish-kryedemokratin Lulzim Basha pasi e katandisi PD-në një forcë politike që nuk mbronte idealet e demokratëve dhe të shqiptarëve dhe pse në zgjedhjet e 25 Prillit 620 mijë shqiptare i besuan opozitës.

“PD ishte katandisur në një forcë politike që nuk mbronte interesat dhe idealet tuaja, por interesat dhe pazaret e ish-kryetarit. Ish-kryetarit i binte telefonin ose i vinte mesazhi dhe nuk guxonte të përmende emrin e kundërshtarit para jush. Ne kaluam 9 vite të vështira dhe të pamerituara. Të vështira se patëm një qeverisje, në kuptimin më të vërtetë të fjalës më antikombëtare që nga ditët e zeza të diktaturës”.

Për Berishën, misioni tjetër tashmë është ai ringritjes së Shqipërisë, duke dhënë garanci se revolucioni i ndërmarrë nuk do të ndalet.