“Në këtë çast solemn, në shenjë nderimi, detyrimi dhe respekti për punonjësve të Policisë, në emër të Policisë së Shteit, në nderin tim personal betohem që të mbaj me nder flamurin e Policisë së Shtetit”.

Me këtë betim solemn, Gledis Nano mori zyrtarisht sot detyrën e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit bashkë me Gradën Drejtues Madhor.

Në fjalën e tij të rastit, Nano tha se profesioni i tij nuk ishte një zgjedhje karriere, por pasion i frymëzuar nga babai i tij si ish-oficer.

Më tej Nano prezantoi shtyllat kryesore të punës së tij duke vënë theksin te forcimi i besimit të qytetarët, bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe partnerët si dhe reformimi i mëtejshëm i policisë.

Nano: Besimi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit përtej privilegjit, më ngarkon me përgjegjësinë për të qebnë në lartësinë e detyrës në shërbim të qytetarëve dhe në nderim dhe përulje ndaj mundit, sakrificës dhe gjakut të derdhur nga çdo dëshmor i përjetësuar në yll në memorialin e kujtesës së policisë së shtetit.Gjej rasti t’u shpreh një falenderim të posaçëm ministrit të brendshëm dhe kryeministrit, për besimin e dhënë. Profesioni im nuk ishte një zgjedhje karriere, por pasion, i frymëzuar nga babi im si ish-oficer.

Kam kuptuar se ky institucion është një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Sfidat janë rëndësishme, puna e arritur nga paraardhësi im ka nevojë të çohet përpara, qytetarët presin standarde të tjera dhe zgjidhje të probleme të tyre dhe ne do të bëjmë maksimumin për ta arritur. Në të njëjtën kohë, kërkoj prej tyre që ta shohin Policinë si një partner, roli tyre është i pazëvendësueshëm në suksesine  punës tonë. Gjithashtu prioritet i im do të jetë intensifikimi i bashkëpunimit me të gjitha agjencitë ligjzbatuese në vend, partnerët ndërkombëtarë dhe misionet që asistojnë Policinë Shqiptare.

Ne synojmë një polici më të trajnuar me kapacitete të shtuara në fushën e dixhitalizimit, mirëmenaxhim të çdo burim njerëzor bazuar në meritokraci që janë parakushtet për një hap cilësor, çka do ta rendiste shumë shpejt Policinë shqiptare cilësisht krah policisë europiane. Unë ju garantoj do vazhdoj në çuarjen përpara të reformave në policinë e shtetit duke synuar rritjen e aftësive profesionale dhe operacionale në përmbushje të misionit kushtetues që ka. Në ditën e parë të punës dua t’u uroj çdo kolegu suksese. Jemi betuar të gjithë ne në ditën që kemi marrë detyrën, ndaj kërkoj angazhim maksimal tuaj sipas betimit që të gjithë ne kemi bërë.