Biden shpalli 4 sanksionet ndaj Rusisë si një formë për ta dobësuar shtetin nga ana ekonomike dhe për të siguruar paqen në Ukrainë.
4 sanksionet përfshijnë:
-Do të kufizojmë aftësinë e Rusisë për të bërë biznes në dollarë, euro, paund dhe jen për të qenë pjesë e ekonomisë globale.
-Do të ndalojmë aftësinë për të financuar dhe rritur ushtrinë ruse.
-Do të dëmtojmë aftësinë e tyre për të konkurruar në ekonominë e shekullit të 21-të të teknologjisë së lartë.
-SHBA sanksionon bankat ruse që së bashku mbajnë rreth 1 trilion dollarë aktive.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar po ashtu se Thesari i SHBA ka vendosur sanksione ndaj 24 individëve dhe ministrit të mbrojtjes së Bjellorusisë, pasi sipas tyre ata kanë mbështur pushtimin rus të Ukrainës.
Më herët edhe kryeministri britanik Boris Johnson deklaroi se do të shtrijë masat e tij edhe në Bjellorusi, një aleat i ngushtë i Rusisë.
I pyetur se a ka një dialog të mundshëm me Putin në këtë pikë, Biden u tregua ‘i prerë’ duke thënë se nuk do ketë më asnjë komunikim.
Ai theksoi se ka ndjekur me vëmendje të plotë çdo fjalim të presidentit rus Vladimir Putin dhe ka kuptuar se ai ka ambicie në contrast me botën dhe kërkon medoemos rikthimin e Bashkimit Sovjetik.
“Ai nuk e di me kë ka të bëjë, ne do dobësojmë vendin e tij dhe efekti i sanksioneve do shihet me kohën”-deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Lidhur me mbrojtjen e Ukrainës, Biden u shpreh se SHBA do të dërgojë trupat e saj në vendet europiane por kurrsesi nuk do vendosen në shtetin ukrainas.
Gazetarët i shtruan pyetjen se nëse sanksionet nuk e ndalojnë Putin, çfarë veprimi do ndërmerrte SHBA, Biden tha se një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë dhe se bashkë me aleatët botërorë do arrijnë të shkatërrojnë ekonominë e Rusisë dhe të ndalojnë përleshjet luftarake.
Menjëherë pasi Biden mbylli konferencën e tij, 7000 trupa amerikanë janë urdhëruar të vendosen në 5 shtete të Europës.
SHBA dëboi po ashtu diplomatin nr. 2 në ambasadën ruse në Uashington, DC, si përgjigje ndaj Rusisë që dëboi diplomatin e rangut të dytë amerikan në Moskë në fillim të këtij viti.
Ende nuk dihet se si do agravojë situata në Ukrainë, ndërsa sipas raportit të OKB-së ditën e sotme kanë humbur jetën 57 persona, 169 të plagosur dhe rreth 100 mijë të larguar drejt Moldavisë dhë Rumanisë.