Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontroll në vilën e biznesmenit Samir Mane, si dhe në ambientet e zyrës së tij, me vendim të GJKKO-së. Burime të VNA bëjnë me dije se gjatë kontrollit është sekuestruar edhe telefoni celular i biznesmenit.
Kontrollet janë në vijim të megaoperacionit të SPAK, i cili goditi tre grupe të dyshuara kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave. Në qendër të hetimeve janë grupet e drejtuara nga Artur Shehu, Artur alias Luciano Koceku dhe Alfredo Hamzai.
Sipas dosjes hetimore, paratë e përfituara nga trafiku i drogës dyshohet se investoheshin në sektorin e ndërtimit përmes biznesmenëve Ilir Shtufi dhe Orest Sota. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu investime të dyshuara në projektin Green Coast në Palasë, në pronësi të Samir Manes.
Emri i Manes përmendet në materialet hetimore të SPAK. Burimet konfirmojnë se gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje dhe materiale që mund t’i shërbejnë hetimit, ndërsa telefoni celular i biznesmenit është marrë për verifikime të mëtejshme. Deri tani nuk ka një reagim publik nga Samir Mane lidhur me këtë zhvillim./TPZ






