Një grup pronarësh të mjeteve lundruese kanë dalë sot në protestë para Drejtorisë së Policisë duke kërkuar që të mos u bllokohen mjetet e tyre pasi dëmi është i madh.

Ata shprehen se janë njoftuar vetëm përmes një telefonate për pezullimin e mjeteve motorike, pa asnjë shkresë zyrtare, duke theksuar se bizneset e tyre s’kanë shkaktuar kurrë asnjë incident.

Të gjithë motorat janë me licensë, ne duam përgjigjie se nuk dimë arsyen se nuk kanë dhënë asnjë shkresë. Kanë marrë në telefon duke thënë mbyllni motorët. Po të shohësh historikun e secilit prej nesh e vërteton se nuk kemi qenë asnjëherë problematikë.

Dëmet janë shumë të mëdha sepse ne nuk po fitojmë gjë. Skafet janë në det. Nga bizneset tona nuk ka pasur asnjëherë incidente”-tha një nga pronarët.

Bllokimi dhe kontrolli i mjeteve ujore, vjen pak ditë pas tragjedisë së rëndë të ndodhur në Himarë, ku një vogëlushe vetëm 7 vjeçe u përplas për vdekje nga skafi që drejtohej nga komisari Arjan Tase.

Ndërkohë protestuesit deklarojnë se mjetet e tyre janë bllokuar pa të drejtë dhe se janë të gjithë me dokumentacione të rregullta. Ata shprehet se aksidentet ujore kanë ndodhur nga individë dhe jo nga mjete të bizneseve private.