Pas implementimit të disa ndenjëseve shumë të rehatshme në makinat e saj gjatë CES 2020, BMW ka prezantuar ditën e sotme hapin e së ardhmes për sa i përket argëtimit në makinë.
Tashmë BMW ka menduar të shtojë dhe një televizor 31 inç 8K me mbështetje për Amazon Fire TV brenda makinave të saj luksoze. Ky televizor, i kombinuar me sistemin Wilkins Diamond Surround Sound System, ka si qëllim ofrimin e një eksperience të ngjashme me kinemanë për pasagjerët në ndenjëset e pasme gjatë udhëtimit të tyre.
Përmes teknologjisë 5G, makina do të jetë në gjendje të shfaqë shows më të fundit sipas kërkesës, ndërkohë që sistemi My Mode i BMW do të përgatisë ambientin për ju. Me shumë mundësi ju nuk dëshironi që një ekran gjigjand të bllokojë gjatë gjithë kohës pamjen tuaj, prandaj televizori shpaloset në momentin kur ju dëshironi. Kontrollet me prekje janë të integruara në dyert e pasme.
“Ne zhvillojmë eksperienca dixhitale për të siguruar kënaqësi të plotë gjatë përdorimit të makinave.” tha Frank Weber, anëtar i bordit të BMW AG Development. “Në modalitetin Theatre Mode, pjesa e pasme e interiorit shndërrohet në një kinema private, me ekran 31 inç, lidhje 5G, rezolucion 8K dhe programe transmetimi individuale, për të siguruar një eksperiencë të paprecedentë që vendos standarde të reja në industri.”