Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e ndjeshme të çmimit të naftës. Kështu, nafta me pakicë do të shitet me 245 lekë, me një rritje rekord prej 22 lekësh, që nga fillimi i funksionimit të tij në mars të këtij viti.
Në vendimin e fundit të datës 1 tetor, nafta ishte ulur në 223 lekë për litër. Me rritje është dhe benzina, që do të tregtohet me 204 lekë, nga 198 lekë që ishte në vendimin e 1 tetorit.
Gazi do të tregtohet me 77 lekë për litër, nga 78 lekë që ishte më parë. Rritja e çmimit të karburanteve vjen në një kohë ku në tregjet globale ka pasur një tronditje për shkak të vendimit të OPEC+ për uljen e prodhimit. Tashmë çmimi i naftës po i afrohet sërish niveleve maksimale prej 260 lekë për litër që arritën në vend në muajin mars.