Vitet e fundit, në vendet e rajonit të Ballkanit vërehet një rënie gjithnjë e më e theksuar e numrit të nxënësve, kryesisht për shkak të largimit të një numri të madh njerëzish, përfshirë familje të tëra, drejt vendeve të tjera të zhvilluara.

Trendi i uljes së numrit të nxënësve në Ballkanin Perëndimor mund të haset gjithandej. Por, Shqipëria dhe Kosova e kryesojnë listën e shteteve ku është regjistruar rënie më e madhe e nxënësve në shkollat fillore për dy ciklet e kaluara edukativo-arsimore.

Analiza e TRT Balkan, për përiudhën 2020/21 dhe 2021/22, tregon se gjendja në arsimin fillor nuk është më e mirë edhe në shtete të tjera të rajonit.

Shqipëria pa 8.348 nxënës

Brenda një viti numri i nxënësve në bankat e shkollave fillore në Shqipëri është zvogëluar për 8.348 nxënës. Shifrat në fjalë dalin nga përllogaritja e nxënësve të regjistruar në arsimin 9-vjeçar në vitet shkollore 2020/21 dhe 2021/22.

Në vitin shkollor 2020/21, në Shqipëri, sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë, në arsimin parauniversitar janë regjistruar 460.819 nxënës dhe fëmijë. Prej tyre në arsimin 9-vjeçar janë regjistruar 286.486 nxënës.

Nga ana tjetër në vitin e kaluar shkollor 2021/22 në arsimin parauniversitar të regjistruar kanë qenë 453.989 nxënës dhe fëmijë, prej të cilëve 278.138 në arsimin 9-vjeçar.

5.931 filloristë më pak në Kosovë

Nga të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kuptohet që Kosova është një ndër shtetet me uljen më të madhe të numrit të nxënësve për një vit në rajon.
Në vitin 2021/22 në Kosovë kishte 217.977 nxënës apo 5.931 më pak nxënës në shkollat fillore se në vitin 2020/21, ku numri i përgjithshëm i nxënësve të shkollave fillore ishte 223.908.

3.257 nxënës më pak në BeH

Bosnjë e Hercegovina gjithashtu është përballur me një rënie të theksuar të numrit të nxënësve të regjistruar në gjithë vendin gjatë viteve të fundit.

“Në vitin shkollor 2021/2022, në BeH janë regjistruar 264.802 nxënës, që është 3.257 nxënës më pak, ose 1,2 për qind, krahasuar me vitin paraprak shkollor”, thonë nga Agjencia e Statistikave e BeH.

Është bërë e ditur se në vitin shkollor 2021/2022 në klasat e para janë regjistruar 28.013 nxënës, që është 1,9 për qind më pak se viti i kaluar shkollor.

Shkollat fillore në Serbi pa 3.249 nxënës

Numri i nxënësve në arsimin fillor në Serbi është ulur vit pas viti. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave të Serbisë, flasim se në vitin shkollor 2020/21 ka pasur gjithësej 510.576 nxënës, prej të cilëve 248.452 vajza. Përderisa ky numër vitin e kaluar është zvogëluar për më shumë se tre mijë nxënës, respektivisht 3.249 nxënës më pak. Mbështetur në të dhënat statistikore në vitin 2021/22 në shkollat fillore në Serbi kanë mësuar 507.372 nxënës.

Arsimi fillor pa 900 nxënës në Maqedoninë e Veriut

Situatë jo e mirë me numrin e nxënësve në shkollat fillore nuk mbizotëron as në Maqedoninë e Veriut. Saktësisht 187.555 nxënës sipas Entit Shtetëror të Statistikave kanë zhvilluar mësimin në shkollat fillore në vitin 2020/21. Ndërkohë 900 nxënës më pak ka pasur në vitin shkollor 2021/22. Të dhënat zyrtare statistikore flasin se gjatë këtij viti shkollor (2021/22) në Maqedoninë e Veriut në arsimin fillor ka pasur 186.649.

470 nxënës më shumë në Mal të Zi

Për dallim nga shtetet e tjera të rajonit, në Mal të Zi ka rritje minimale të numri të nxënësve në shkollat fillore. Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi, në vitin shkollor 2020/21 në këtë shtet të Ballkanit Perëndimor ka pasur 68.506 filloristë, gjegjësisht vitin e kaluar (2021/22) numri i nxënësve është rritur për 470 më shumë dhe ka numëruar 68.976./ Marrë nga Telegrafi