Deputeti i PS-së Erion Braçe ka sulmuar ashpër Lulzim Bashën, që sipas tij nëse do të bëjë vërtetë Vtingun e politikanëve, duhet ta nisë nga ai në aspektin penal. Teksa foli në lidhje me debatin mes Ramës dhe Bashës, Braçe tha se askujt nuk i shërben ky personalizim i debatit, dhe se qytetarët duhet të shohin të reflektuara shqetësimet e tyre.

“Ky personalizim nuk i duhet shqiptarëve, ky personalizim prej 3 orësh vret parlamentarizmin. Po është e vërtetë që unë kam qenë zv/kryeministër, u kam shërbyer shqiptarëve. Ka vetëm një vetting që duhet bërë për politikanët, atë penal për ata që vrasin.

Nuk e kuptoj çfarë do të thotë vettingu në politikë, ky është vettingu, zoti Basha ke b…. për këtë vetting? Boll të dëgjuam sot tre orë, di shumë për ty, ashtu siç di dhe për procesin e rindërtimit ku kam qenë vetë i angazhuar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Askush nuk do borxh, borxhi nuk është tabu. Basha nuk mund të flasi për çmimet e shportës, pasi nuk ka bërë qoftë edhe njëherë të vetme pazar. Kam qenë 16 vite me të në një lagje, dhe nuk e kam parë njëherë të vetme që të bëj pazar, a e di Lulzim Basha se sa është çmimi i vajit, sa është çmimi i orizit.

Një njeri që ia bëjnë pazaret të tjerët, nuk mund ta dijë dhe ta ndjejë rritjen e çmimeve. Bashës as ia ndjen fare për njerëzit e zakonshëm”, tha mes të tjerave Braçe në Kuvend.