Ky lajm nuk u prit aspak mirë nga shqiptarët, sepse Bregovic është konsideruar si frymëzues e idhull i ushtrisë vrastare serbe gjatë luftës në Kosovë sidomos me këngën “Kalashnikov”.

Në lidhje me këtë është pyetur dhe administratori i Birra Korça, Dhimitri Zonja, i cili ka thënë për televizionin News24 se i gjithë ky event organizohet nga Bashkia e Korçës dhe se është pikërisht ajo që vendos për të ftuarit.

Ai u shpreh se si pjesëmarrëse, Birra Korça ka detyrim të përfaqësojë denjësisht produktet e saj.

“Këto ditë ka pasur disa spekulime dashakeqe lidhur me ftesën që i është bërë këngëtarit serb Goran Bregoviç për të qenë pjesëmarrës në festën e përvitshme të birrës në qytetin e Korçës. Ne e dimë se festa e birrës në Korçë identifikohet si festa e Birrës Korça që është simbol i qytetit, por ky aktivitet nuk organizohet prej nesh. Është bashkia Korçë që vendos për gjithçka që ka të bëjë me festën, përfshirë edhe listën e të ftuarve.

Ne jemi një nga subjektet pjesëmarrëse që kemi obligim përfaqësimin sa më dinjitoz të produkteve tona që i kanë sjellë Korçës këtë festë”, deklaroi administratori i Birra Korça.