Presidenti Meta ka reaguar lidhur me 2 ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në vendin tonë.
Biznesmeni Demir Backa, u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës (23 tetor) pasi u qëllua me breshëri kallashnikovi brenda në automjetin e tij tip “Audi” ndërsa ishte duke parkuar pranë ish-QTU në Fier.
Ndërkohë ditën e djeshme (24 tetor) 10 persona kanë hyrë në banesën e biznesmenit Nazmi Çangu në Krujë, ndërsa ai dhe gruaja me katër fëmijët flinin. Grabitësit kanë marrë kryefamiljarin Nazmi Çangu e kanë mbyllur në një dhomë ndërsa anëtarët e tjerë të familjes, gruan dhe fëmijët, në katin e tretë.
Më pas biznesmenin e kanë torturuar për t’i marrë çelësin e kasafortës nga ku më pas kanë marrë para dhe bizhuteri me vlerë 100 mijë euro.
Presidenti Meta ka dënuar aktet kriminale të cilat sipas tij janë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve. Në një postim në Facebook, Presidenti i ka bërë thirrje policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë.
Postimi i plotë:
Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës.
Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale.