Britania e Madhe po rekruton qytetarë vullnetarë për të shpejtuar fushatën e vaksinimit kundër kovidit-19.
Pas 15 orëve mësim nga interneti, persona të profesioneve të ndryshme pa lidhje me mjekësinë u trajnuan në fundjavë në një dhomë të simuluar si qendër për kryerjen e vaksinave.
30 mijë prej tyre pritet të shërbejnë për një nga spitalet e mëdha të Londrës, nëse përmbushin kriterin e moshës 18 vjeç, kanë arsimin e mesëm dhe nuk janë dënuar më parë.
“Vullnetarët janë absolutisht të rëndësishëm për programin e vaksinimit sepse na sigurojnë kapacitete që nuk i kemi. Sistemi shëndetësor është që tani në presion nga kovidi. Kemi njerëz nga të gjitha moshat, nga pjesë të ndryshme të vendit dhe botës, një përzierje gjinish.”
Instruktorët shpresojnë se duke marrë në trajnim qytetarët e zakonshëm, ata mund të bindin edhe rrethin e tyre familjar apo shoqëror që të vaksinohen kundër virusit vdekjeprurës.
“Më vjen mirë që, si të thuash, po jap ndihmën time në shërimin e botës. Presioni mbi sistemin shëndetësor duket tejet i madh.”
“Unë jam regjisor filmash dhe gjëja e fundit që mendoja ishte të vaksinoja qindra njerëz të tjerë. Por mendova se duhet të bëja pjesën time, dhe u regjistrova me të mësuar për programin.”
Britania ka imunizuar rreth 9 milionë persona që prej fillimit të dhjetorit duke përdorur gjerësisht dozat e vaksinave “Pfizer/BioNTech” dhe “AstraZeneca/Oxford”.
Qeveria atje i ka vënë objektiv vetes të vaksinojë 15 milionë të moshuar mbi 70 vjeç dhe personelin mjekësor deri në mesin e muajit.
Ndërkohë, mbi 106 mijë britanikë nuk i kanë mbijetuar dot sëmundjes infektive dhe 3 milionë e 800 mijë të tjerë e kanë kaluar atë, nën masa të rrepta karantine që vazhdojnë akoma.