Në vitin 2007, Britney Spears tronditi fansat kur mori një brisk dhe rruajti kokën. Ishte një moment që u bë famëkeq dhe tabloidët nxituan për të bërë spekulime nga më të ndryshmet.

Megjithatë, në librin e saj me kujtime, “Woman In Me”, Britney Spears flet për atë që po kalonte realisht në mendjen e saj gjatë asaj periudhe të trazuar në jetën e saj.

Spears zbulon se rruajtja e kokës së saj ishte një akt rebelimi kundër një kontrolli të përjetshëm. Ajo tregoi se që në moshë të re ka qenë e rrethuar nga mendimet dhe gjykimet e njerëzve.

“Kam pasur shumë sy rreth e rrotull duke u rritur. Më shikonin lart e poshtë, njerëzit më thoshin se çfarë mendonin për trupin tim, që kur isha adoleshente. Të rruaja kokën dhe të bëja veprime publikisht, ishin mënyrat e mia për t’ua kthyer.”

Pas incidentit të rruajtjes së kokës, Spears hyri në kujdestari me urdhër të gjykatës në vitin 2008, duke ia lënë kontrollin e jetës së saj personale dhe financiare babait të saj dhe një avokati.

Sipas kësaj marrëveshjeje, ajo u detyrua të rriste flokët e saj dhe t’i përmbahej një regjimi të rreptë, duke përfshirë mjekimin. Pavarësisht publikimit të albumeve të suksesshme, Spears përshkruan se ndihet e paplotësuar dhe si një hije e vetes. Ajo shprehet:

“Trembëdhjetë vjet kaluan për mua duke u ndjerë si një hije e vetes.”

Spears trajton gjithashtu pabarazinë gjinore në industrinë e argëtimit, duke theksuar se artistët meshkuj me beteja të ngjashme nuk iu nënshtruan kontrolleve të tilla.

“Nuk e meritoja atë që më bëri familja ime”, -thotë ajo.

Këto dhe rrëfime të tjera pritet të zbulohen nga publikimi i librit të Spears.